Nga: 27.al/
Grekët mbushën sheshet për çështjen e emrit të Maqedonisë, madje thonë se nuk do të ndalen. Qeveria e tyre është vënë në hall prej trysnisë së jashtëzakonshme që ushtron Kisha dhe nacionalistët. Ndoshta për të shuar disi këtë mëri të madhe, ministri i Mbrojtjes Panos Kammenos bëri një deklaratë shoviniste e denjë për gjuhën e nazi-fashistëve. Ai shpalli plot shend një kumt, sipas të cilit Greqia po zgjeron ujërat territoriale greke.
Natyrisht, e ka patur fjalën për ujërat territoriale me Shqipërinë, sepse me Turqinë, jo vetëm që nuk ia del dot, por para ca kohësh luftanijet e Erdoganit e kthyen mbrapsht me bisht ndër shalë, pa mbërritur dot në Kardak.
Megjithatë, pas kësaj deklarate të një shtetari aq të lartë për zgjerim të ujërave territoriale, cili ka qenë reagimi i Tiranës zyrtare? Ka qenë 0.
Ministria Shqiptare e Mbrojtjes asnjë fjalë. Ministria e Jashtme ka kyçur sqepin, asnjë fjalë. Kreu i qeverisë që rri e pakta 6 orë në ditë në televizor nuk pipëtin. I vetmi njeri i pushtetit që u ndje është Taulant Balla, i cili nuk është pjesë e kabinetit qeveritar. Ky i fundit, në fakt foli për këtë temë që t’i kthente reston Berishës, i cili është i vetmi politikan që po denoncon këtë gjëmë. Taulanti na shpërtheu një shashkë me fjalë propagandistike, duke na treguar historinë e marrëveshjes detare të Lulit. Meqë ra fjala Lulzim Basha dhe gjithë opozita nuk e shkep gojën për këtë temë, megjithëse aleati i vyer Vangjel Dule, qyshkur kanë nisur bisedimet Tiranë – Athinë ka ikur në drejtim të paditur. Kolonel Pashai ka ulur zëthin si peshku në ujë, kurse Panos Kammenos deklaron ditës për diell, copë dhe pa qime në gjuhë: “Po zgjerojmë ujërat tona territoriale!”.
Nëse zonja Xhaçka do të kishte thënë vetëm fjalën “zgjerim”, grekët do i kishe sot në sheshe, ashtu sikundër po bëjnë për një emër, e cila në fund fare mund të tingëllojë metaforë që vë në dyshim mitin e Greqisë, mit të cilin e ngriti Mbreti Otto, mit që për të mbirë dhe lartësuar është vaditur me gjakun e masakrave ndaj kretasve, arvanitasve, çamëve.
Por, ama grekët çohen, nuk janë si shqiptarët e zgërlaqur nga vapa dhe llogjet e Kavajës që presin të gëlltisin nga propaganda e atij që bën si “sulltan” brenda sinoreve dhe “dhjaks” sa i del hunda në Kakavijë.
Ja vlen të kujtohet gjithmonë shprehja e atij shitësit ambulant buzë rrugës së Orikumit që shiste flamuj kombëtar dhe brekë plazhi. Ai thoshte: “Ta donim atdheun, aq sa e duan grekët për vete Shqipërinë, kushedi sa hair do kishim bërë…”.
Veritas.com.al/