Greqia ka dorëzuar ankesë ndaj Serbisë të hënën, pasi një avion ukrainas i mallrave që po barte armë, u përplas teksa tentoi të bënte një aterim emergjent në veri të Greqisë.
Tetë anëtarë të ekuipazhit të avionit të mallrave, që operohej nga një kompani ukrainase, u vranë pas rrëzimit të avionit të shtunën në Kavalla të Greqisë. Pas rrëzimit, ka pasur shpërthime të eksplozivëve për të paktën dy orë.
Autoritetet serbe thanë se avioni po bartte 11.5 tonë minahedhës dhe mina të tjera serbe për në Bangladesh. Avioni ishte paraparë të bënte një ndalesë në Aman të Jordanisë.
Ekipet e deminimit për të dytën ditë me radhë po punojnë në vendin ku u rrëzua avioni. Avioni ukrainas i mallrave u rrëzua rreth 40 kilometra në perëndim të Aeroportit Ndërkombëtar të Kavallës.
Zëdhënësi i zjarrfikësve, Yiannis Artopios, tha se nuk janë gjetur substanca të rrezikshme në vendin ku u rrëzua avioni. Ai shtoi se të gjithë anëtarët e ekuipazhit besohet se ishin ukrainas./rel