Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sot pas mesdite në kryeqytet. Sipas informacioneve të para, bashkëshortja e gjyqtarit të Krimeve të Rënda Dritan Hallunaj, është hedhur nga kati i tetë i pallatit ku banonte. Nuk dihen ende rrethanat e ngjarjes së rëndë.
Policia thotë se ngjarja ka ndodhur sot në orën 13:16 ku 37-vjeçarja E. Hallunaj është hedhur nga ballkoni i banesës në katin e tetë.
“Më datë 02.08.2018, rreth orës 13:16, në rrugën “Vashko Pasha”, dyshohet të jetë hedhur nga ballkoni i pallatit, shtetasja E. H., rreth 37 vjeçe, e cila ka gjetur vdekjen e menjëhershme. Po punohet për sqarim të mëtejshëm të rrethanave të ngjarjes”, njofton policia.
Gjyqtari Hallunaj u rikonfirmua dje në detyrë nga KPK duke kaluar vettingun. Gjyqtari doli i pastër në tre shtyllat e kontrollit dhe nuk u konstatuan problematika me pasuritë e tij. Por rikonfirmimi i tij në detyrë solli kontestime nga opozita, e cila rikujtoi vendimin e gjyqtarit Hallunaj për lirimin nga akuzat të deputetit Arben Frroku, i cili ishte burgosur nën akuza penale.
Ngjarja ka ndodhur në rrugën “Vaso Pasha” nga ku është marrë edhe foto ilustruese, ku duken një ambulancë dhe makina policie, ndërsa efektivë të shumtë kanë rrethuar zonën.
Veritas.com.al/