Frrok Çupi

Jo se Edipi nuk ishte aty, por fshihej prapa perdeve të skenës politike.

Dihej prej kohësh se edhe në Partinë Socialiste ekzistonte ‘Edipi’, ose më saktë, fenomeni Edip. Ndryshe nga Edipi i Sofokliut, këta tentojnë vrasjen e ‘mbretit’, por jo domosdo të mbretit.

Megjithatë Edipi, figurë mitologjike, ka jetuar si realitet kaq shumë shekuj bash për shkak se kudo është aktual, kudo i shfaqet e i mbulohet fytyra dhe kama me të cilën bën gjak.

Ai gjendet më shumë aty ku ka ‘mbretëri’.

Partia Socialiste që qeveris vendin prej 12 vjetësh, është një prej ‘mbretërive’ ku synojnë të vegjetojnë ‘Edipët’. Mbreti i Tebës, që para lindjes ishte projektuar nga orakulli se sa të rritej ‘do të vriste të atin dhe do të martohej me të ëmën’.

Fati i keq dhe tradhtia nuk kanë kufij para Edipit.

Edhe në ‘mbretërinë’ e PS kjo do të ndodhte, doemos. Por vetëm dje, në kongresin e Partisë Socialiste, u ‘hap perdja’ e teatrit të vjetër, dhe u shfaq hapur. Kryetari dhe kryeministër Edi Rama, e nxori cullak ‘tradhtinë’ e bijve të PS. Ai tha me zë të lartë, duke e zgjedhur fjalën dhe frazën me qëllim që të ngulej si rrufeja në tokë, se brenda për brenda ‘familjes’ ka nga ata që bashkëpunojnë me ‘portale e kanale’ prapa kurrizit të shokëve dhe personaliteteve në krye të punëve.

I pari që u shfaq ‘si tigër nga strofka e miut’, ishte Arben Ahmeti. Portreti tipik i Edipit të krijuar që pesë shekuj para Krishtit. I lindur, dmth i njohur që në vegjëli për ‘asgjë tjetër veç manovrave me mbretin’, një ditë u ndodh afër ‘të atit të tretë’; madje u zgjodh dy herë për postin e zëvendës kryeministrit. Të gjithë u çuditën, veç ‘mbretit’ që nuk dinte; madje edhe pastruesit e plazhit ku ky shkonte si ‘pasanik i madh’. Tani ka vendosur që ‘vrasjen e ‘Lajit të Tebes’ ose kryetarit të Qeverisë, ta kryejë që nga kantoni më i pasur i Zvicrës.

E mira që i solli ‘mbretërisë’ ky lajm që duket i kobshëm, është se vetë ‘mbretëria’ PS pranoi se brenda ‘teatrit’ të saj ka Edipë. Do të ishte një absurd sikur të mos pranohej ky realitet. Se atëherë i binte që një mbretëri që rritet çdo vit, të mos ngjajë me mbretëritë e fillesës, si ajo që krijoji Sofokliu.

Partia Socialiste sot është partia që i ka dhënë fytyrë cep më cep vendit; mund të thuash se nuk ka mbetur asnjë ‘bërllok’ i periudhës 30 vjeçare të krijuar nga ‘mbretërit’ perversë. Madje edhe vetëm pak simbole të mbretërisë së gjatë komuniste mund të preken. Pritet që edhe mandati i katërt, që nis nga viti 2025, të ketë në krye PS-në. Vetë pranimin e Shqipërisë në BE, mes 2025- 30, Rama e ka projektuar si vepër të kësaj qeverisjeje.

Atëherë, vallë, a nuk do të ketë Edipë të tjerë?…

Edi Rama po i bën lavazhin gjithë ‘zhavorrit politik’ të PS. Gjysma e anëtarëve të Asamblesë dje erdhën të rinj. Të gjithë ministrat- të rinj. Të vjetrit nuk kanë më ‘këllqe’ për të vrarë; por të rinjtë- po!

Kjo është çështja; ç’të bëjmë kur s’kemi ç’bëjmë!

Pa shiko pak portretet e të ardhurve të rinj?, cili prej tyre do të jetë Edipi i radhës?! Dikush duket si ai, por a e vë  dot gishtin? Ndoshta që sot zbulohen tradhtarët dhe të pacipët; aq më shumë po të kesh sado pak mjeshtërinë e Orakullit të Delfit dhe i pamëshirshëm si Orakulli. Disa vijnë për karrierë, disa për ‘punë’, disa për t’u pasuruar; askush për parajsën. Atëherë këtu fshihet Edipi.

Të gjitha ‘mbretëritë’ kanë strehuar ‘burra të grave që janë edhe mamatë e tyre’.