Që nga Vlora, qyteti i Pavarësisë, ku ndodhet sot për një vizitë, Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka folur për debatin që është hapur në Kosovë dhe Shqipëri për ndryshimin e kufijve.
Kryeministri Haradinaj theksoi se hapja e temës së korrigjimit të kufijve është e papranueshme për atë si kryeministër dhe ish-luftëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në mënyrë të prerë ai ka deklaruar se kufijtë nuk duhet të preken.
Ai ka sjellë në vëmendje faktin se Kosova ka luftuar së bashku me NATO dhe aleatët strategjikë për të fituar pavarësinë e shtetit.
“Për popujt e Ballkanit luftërat kanë qenë tragjike. Kufijtë nuk lëvizen me fjalë. Kufijtë janë të vendosura me luftë. I qëndroj deklaratës sime, kufijtë nuk duhet të preken”, tha Haradinaj.
Deklarata e Haradinaj vjen pas qëndrimeve të përsëritura të Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi. Presidenti i Kosovës ka hedhur idenë e korrigjimit të kufijve me Serbinë, sipas tij, duke marrë si pjesë të Kosovës Luginën e Preshevës që banohet nga shqiptarë autoktonë.
Ideja e Thaçit nënkupton edhe dhënien në këmbim të Serbisë një pjesë të territorit që njihet sot nga shteti i Kosovës.
Gjithë faktori politikë në Kosovë duke nisur nga kryeministri Haradinaj, por edhe liderët e opozitës kanë dalë kundër nismës së Hashim Thaçit. Ndërkohë që si rrallë herë ka një qëndrim të përbashkët edhe në Tiranë, ku nga shumë subjekte politike dhe ekspertë te se drejtës ndërkombëtare ideja e Hashim Thaçit cilësohet si e rrezikshme për Kosovën dhe gjithë shqiptarët në Ballkan.
Pas replikave në Prishtinë, Ramush Haradinaj sot ka ardhur në Vlorë, një qytet me simbolikë të veçantë për kombin shqiptar. Dhe mesazhi i dhënë nga Haradinaj në Vlorë ka qenë jo vetëm për Prishtinën, por edhe një pjesë të politikës në Tiranë që ende nuk është pozicionuar ndaj idesë së shprehur nga Hashim Thaçi.
Veritas.com.al/