Edhe pse kanë kaluar katër ditë qëkurse ka ndodhur helmimi në mitingun e Opozitës për çeljen e fushatës në Tiranë, akoma nuk është zbuluar as lloji i helmit dhe asnjë autor që ka shkaktuar atë që sipas disa mediave u quajt ‘terrorizëm’ mbi opozitën.

Prokurorët po diskutojnë të kërkojnë ndihmën e autoriteteve gjermane për të marrë një përgjigje në kohë rekord mbi incidentin e ndodhur gjatë mitingut të Partisë Demokratike, ku u dëmtuan 146 tubues. Një burim i tha Top Channel se asistenca e të huajve do të kërkohet pasi nga komunikimet me ekspertët e mjekësisë ligjore është thënë se në Shqipëri ky proces zgjat sepse nuk disponohen aparatura të fjalës së fundit.

Kjo ekspertizë do të konfirmojë se çfarë elementesh ndodheshin në gjakun e 22 shtetasve, të cilët u regjistruan për ndihmë mjekësore në spital, ndërkohë që pjesa tjetër u paraqiten me shqetësime të lehta. Por nga ana tjetër, Prokuroria po pret edhe ekspertizën e ushtrisë që këqyri jo vetëm vendngjarjen në një perimetër të caktuar në bulevard, por edhe veshjet e protestuesve që shfaqen dhimbje sysh dhe në trup.

Jo zyrtarisht, thuhet se ekspertiza e Forcave të Armatosura tregon se në bulevard nuk është gjetur asnjë element i rrezikshëm. Por ndërkohë zyrtarisht Prokuroria nuk e regjistroi çështjen hetimore sipas referimit të policisë për dyshimet e ndotjes së ajrit, por për veprën 325 që është pengim i subjekteve elektorale për të zhvilluar aktivitetin e tyre.

Ndërsa policia thotë se lëndimi i tubuesve është shkaktuar nga ndriçimi i projektorëve, i pyetur nga prokurorët pronari i kompanisë ka dorëzuar një sërë dokumentesh, sipas të cilave të njëjtët projektorë janë përdorur edhe në mitingje të mëparshme.