HIMARË- Këtë të diel, Himara zgjedh kryetarin e ri. Që prej orës 07:00, janë hapur qendrat e votimit, ku himariotët, me votën e tyre do të zgjedhin kryetarin e ri të bashkisë.

Zhvillimet minutë pas minute:

Ora 11:00- Pas Vangjel Tavos së Partisë Socialiste, ka ushtruar të drejtën e votës edhe rivali i tij nga koalicioni “Bashkë Fitojmë”, Petro Gjikuria. Ai kërkoi nga qytetarët të shkojnë në qendrat e votimit, ndërsa të dielën e konsideroi si ditë feste për Himarën dhe demokracinë.

Ora 10:40- Kandidati i Partisë Socialiste, Vangjel Tavo, ka hedhur votën e tij në zgjedhjet e pjesshme të Bashkisë së Himarës. Ai theksoi se sot është dita e qytetarëve të Himarës, ndërsa apeloi që të dalin të votojnë alternativën më të mirë.

Ora 09:50- KQZ raporton në faqen e saj online se numri i votuesve deri në orën 09:00 në zgjedhjet e pjesshme për kryetarin e bashkisë së Himarës është 6.53 %.

Ora 09:20: Komisioni Qendror i Zgjedhjeve thekson se identifikimi i zgjedhësve bëhet përmes pajisjes elektronike të identifikimit dhe deri tani nuk raportohen problematika.

“Prej orës 7 të mëngjesit ka nisur procesi zgjedhor për kryetarin e Bashkisë Himarë. Të gjithë qendrat e votimit në Bashkinë Himarë janë hapur sipas procedurave të përcaktuara nga Kodi Zgjedhor. Identifikimi i zgjedhësve po bëhet përmes pajisjes elektronike të identifikimit (PEI) dhe nuk janë raportuar problematika.
Procesi i votimit po ecën normalisht dhe pa problematika”,  thekson KQZ.

Ora 08:00- Sipas KQZ, pjesëmarrja e numrit të votuesve deri në orën 08:00 në zgjedhjet e pjesshme për kryetarin e bashkisë së Himarës është 2.69%.

Garuesit, qendrat e votimit dhe numri i zgjedhësve

Në total janë 23 mijë qytetarë me të drejtë vote, ndërsa 36 qendrat e votimit do të mbyllen në 19:00. Në këtë proces zgjedhor janë të angazhuar 52 punonjës policie që do të sigurojnë materialet zgjedhore në të gjitha qendrat e votimit.

Gara zhvillohet mes Vangjel Tavos që kandidon nën siglën e PS dhe kandidatit opozitar Petro Gjikuria.

Zgjedhjet e 4 gushtit në Himarë vijnë pas burgosjes së ish-kryebashkiakut të zgjedhur Fredi Beleri dhe dënimit të tij nga gjykata me dy vjet heqje lirie për blerje votash.

Pas arrestimit të tij bashkia u drejtua fillimisht nga ish-kryebashkiaku, Jorgo Goro i cili u arrestua për shpërdorim detyre nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK për abuzime me pronat.

Pas Goros drejtimin e bashkisë e mori nënkryetarja, Blerina Balaj, e cila më pas dha dorëheqjen duke përmendur arsye personale. Këshilli bashkiak më pas zgjodhi një kryetar të ri në detyrë, Arqile Bollanon./