Për të 14-tin vit radhazi socialistët përkujtojnë 4 viktimat që humbën jetën në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, gjatë protestës në vitin 2011. Në atë kohë, qeveria drejtohej nga Sali Berisha dhe ministër i Brendshëm ishte Lulzim Basha.
Në Bulevardin para kryeministrisë ku ndodhën vrasjet, janë mbledhur familjarë dhe të afërm të viktimave në pritjeve të homazheve për Aleks Nikën, Ziver Veizin, Faik Myrtarjn dhe Hekuran Dedën.
Për krimin e 14 viteve më parë, ka reaguar edhe Kryeministri Edi Rama nëpërmjet një mesazhi në Facebook, ku shprehet se “drejtësia vonon, por nuk harron”.
Gjykata e Lartë në Shqipëri urdhëroi Prokurorinë e Posaçme (SPAK) të niste hetimet për vrasjen e Aleks Nikës, një prej viktimave të 21 janarit, që u qëllua për vdekje në protestën e vitit 2011.
Kërkesa në gjykatë ishte dorëzuar nga familjarët e Aleks Nikës, pasi SPAK-u fillimisht nuk pranoi të regjistrojë kallëzimin penal të dorëzuar nga avokati i familjes së viktimës.
Gjykata e konsideroi jo të drejtë vendimin e SPAK-ut për të mos nisur procedimin penal dhe i kërkoi të regjistrojë si procedim, kallëzimin e dorëzuar nga familja Nika, menjëherë pas vendimit të Gjykatës për të Drejtat e Njeriut, me seli në Strasburg, e cila e konsideroi 21 janarin si “krim shtetëror”.