Frrok Çupi

Ilir Meta, president, është një lider absurd. As i thua dot budalla, as inteligjent; as i ditur, as injorant; as Lei Fen, as hajdut; as fshatar, as qytetar; as human, as kriminel…

Por të gjitha mund të jenë të vlefshme dhe ta përshkruajnë saktë Ilir Metën.

Çështja nuk është se çfarë është Ilir Meta; çështja është te raporti qytetar me liderin: se ‘as e kap dot’ as e lë në punë të tij. Prej tre dekadash lidershipi i lartë është ndërtuar nga derra që as dalin nga lluca, as ndoten. Vetë kashaisen me njëri- tjetrin në ‘saunën’ e kafshës së urryer deri në Tomorr, vetë mbajnë njëri- tjetrin dhe vetë hanë njëri- tjetrin. Shpresa e fundit është kjo: Që iniciativa pro- amerikane për Drejtësi, t’i nxjerrë nga pellgu i shtetit…

… Iliri, në absurd,  nuk pranon kurrë të jetë ai që është- këtu është fjala:

E kapën me bllokun e zi të vjedhjes së miliona eurove, por ai del me shqiponjën në duar- siç shkruan një koleg sot; dmth., kulmi i patriotit.

E kapën me video duke vjedhur tenderë nëpërmjet ministrave të tij, por Dritan Prifti që e kapi shkoi në jetën tjetër. Shkuan në atë jetë edhe katër protestues të mjerë që ngritën zërin kundër Ilirit. Disa njerëz që po tregojnë mbi Ilirin po thonë se ‘ky të vret’.

Mirëpo e shoqja betohet ‘m’u bëfshin helm’ paratë e vjedhura dhe duket si familje humane… Iliri ngjitet gjithë verën në malet e Veriut si për të treguar ‘patriotizëm’, por lë bosh zyrën e kryetarit të shtetit. Ka të dhëna se maleve ka fshehur floririn që vodhi si kryeministër, dhe për të cilin ish president Berisha e ka quajtur ‘Ilir floriri’. Po hajde thuaja këtë, se ai përgjigjet ‘jam patriot i Kosovës’.

Tani, në mënyrë ‘patriotike’, ka marrë në dorë shkatërrimin e shtetit, vetëm me qëllim që të zhdukë varret (që nga Dritan Prifti dhe 4 dëshmorët) dhe të fusë në dhè krimet e tij e të shokëve që po protestojnë ‘kundër vjedhjeve’. Tmerr, të protestojnë Iliri dhe Luli kundër vjedhjes!, kësaj i thonë vetë absurdi.

Nuk ka lider më të tmerrshëm e më djall se sa lideri absurd.

Këta duken si budallenj, por në fakt janë të rrezikshëm- shkruan edhe një studiues italian, Carlo Cipolla. (E citova italianin meqë këta i duan referencat nga shkruesit gjerman ose italian). Lideri budalla, ose absurd- shkruan Cipolla- ‘është ai që shkakton humbje të mëdha te tjetri ose te të tjerë te grupi, te shteti…, por për vete nuk merr asgjë përsipër, madje shfaqen edhe duke folur kundër banditëve…’ Ja shikoni Ilirin, le të digjet vendi, le të mos bëhen kurrë zgjedhje, le të plasë kaosi- ai është në rregull bashkë me banditët e tij.

Në periferitë e botës, siç e quajnë Shqipërinë liderët djaj- nuk ka ardhur koha që njerëzit t’i kuptojnë pisllëqet e ‘derrave’. Sigurisht, bota është zhvilluar sidomos në Perëndimin e përparuar, por edhe këtu janë projektuar modelet e liderëve absurd alias Ilir. Ilir Meta ka shumë shokë në botën e paqytetëruar; ky nuk është i vetëm…

Çfarë do t’i thuash Ilirit kur ky ulet e firmos një dekret që është ‘zhdekretim’? Askund nuk ka zhdekretim; as në Kushtetutë, as te Astiri, as në Lalëz, as në fletoret e llogarive.., askund. Tani Iliri po i thotë kombit: ‘Gjeje ti komb shqiptar ku ndodhet zhdekretimi!’. Absurd… I njëjtë është një lider botëror, Satyapal Singh, ministër i Arsimit në Indi. Ai urdhëroi shkollat që të hiqet emri i Darvinit, duke firmosur ‘zhdekretimin Darvin’. Dhe e shkroi kështu: “Teoria e Darvinit mbi evolucionin është shkencërisht e gabuar… Askush, duke përfshirë edhe stërgjyshërit tanë, as kanë thanë e as kanë shkruar se kanë parë dikë që nga majmun u kthye në njeri”.

A mund të arsyetohet zoti ministër i Arsimit? As vetë zoti Meta nuk mund të arsyetohet.

Po a mund të kuptohesh me zotin Meta, se nuk ka ndodhur dhe nuk ndodh të anulosh zgjedhjet e një kombi, kur kjo është e drejtë themelore e individit në kohët moderne? Jo, ai tani mund të zhdekretojë policinë, dyqanet e bulmetit, qeverinë, taksat dhe exhange-in e floririt.

-Cilës i thua ‘kohë moderne!’,  – përgjigjet ai- ‘kohës pa mua!?’… Biplab Deb, një ministër në Tripula, u ndodh para kësaj pyetjeje se cila është e drejta dhe cila është epoka. ‘Ore, tha ai- India ka pasur internet që në kohë të lashta. Sanjay- (triumfante e epikës Sanskritishte), ishte e verbër, por ka treguar çfarë ka ndodhur në betejën e përgjakshme të Dhritarashta, në kohë të lashtë… Dhe e di pse mundi të tregojë- thotë ministri. Sepse kishte internet dhe teknologji; satelitët kanë ekzistuar edhe në atë kohë…’.

Tani hajde merre përdore Ilirin, ose edhe Lulin, çoji në Indi, ose në hapësirë te satelitët që të kuptojnë realen. Ndryshe a mund t’u thuash se kjo që po bëjnë ‘nuk mund të bëhet’ ; nuk mund të lihet një popull pa zgjedhje, pa paqe, pa dinjitet…, veç pse do ‘interneti’ i tyre.

Nuk ka njeri në këtë jetë, njeri normal, që i del përpara absurdit. Sidomos kur njeriu absurd është lider, shfaqet përnatë në televizion, mban përditë vulë në xhep dhe ka militantë pa tru që paguhen dhe vrasin. Si do të qeveriset tani Shqipëria pa zgjedhje, pa kushtetutë, me bomba molotov, me mashtrim, me liderë absurd?! Kjo është pyetja që i ka dhënë përgjigje një nga absurdët e Indisë:

‘Kur Humayun (mbreti i dytë i perandorisë Mughal, 1530-1540) po vdiste, thërriti Babur dhe i tha: ‘Nëse do të qeverisësh Hindustanin, duhet të mbash mend tre gjëra: Respekt për lopët, për gratë dhe Brahims ( fis që zë vetëm 5% të popullsisë- sa LSI). Kështu ka shkruar Madan Lal Saini, presidente e Partisë BJP- (BharatiyaJanata Party, Rajasthan, e dyta opozitare në Indi).

Kuptuam gjë nga këta liderë të pazhvilluar? …

Sa e lodhshme që të merresh me absurdin qoftë edhe nëpër shkronja! Po kur e ke lider?! As mund të flasësh me të, as mund t’i lësh ‘derrat’ e ndotur që deklarohen ‘sa të pastër!’

VERITAS.COM.AL/