Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, këtë të hënë të 30 janarit ka prezantuar raportin e tranzicionit të BERZH-it, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.
Sejko në fjalën e tij u shpreh se stabiliteti i çmimeve në vend mbetet objektiv i Bankës dhe se ka një lajm të mirë sa i takon inflacionit.
Ai vijon një trajektore rënëse.
“Politikat tona ekonomike ndihmuan në ruajtjen e një niveli relativisht të ulët të inflacionit krahasuar me vendet e rajonit, në uljen e pasigurisë, si dhe në ruajtjen e stabilitetit financiar. Projeksionet tona sugjerojnë se inflacioni do të vijojë trajektoren rënëse gjatë vitit 2023 dhe do të kthehet në objektiv brenda gjysmës së parë të vitit 2024”.
Sejko thekson se për më tepër, ekonomia shqiptare pritet të vijojë të rritet gjatë kësaj periudhe, ndërsa bilancet e bizneseve e familjeve pritet të mbeten – në tërësinë e tyre – të shëndetshme.
Guvernatori u shpreh se ka pasur një rritje progresive të normës së interesit.
Dhe kjo ka ardhur pas dëgjimit dhe realizimit të analizave të shumta.
“Vendimet tona udhëhiqen nga analizat”.
Sipas Sejkos, kryefjalë e Raportit të këtij viti janë pasojat ekonomike të konfliktit ushtarak në Ukrainë, të para këto si në planin afatshkurtër e afatmesëm, ashtu dhe në atë afatgjatë.
Ky konflikt tragjik ka shkaktuar humbje të mëdha në jetë njerëzore, gjymtime dhe pasoja afatgjata sociale, si dhe një shkundje të rendit gjeopolitik botëror.
Për të raporti i Tranzicionit nënvizon se po jetojmë në një kohë të pazakontë dhe, për një pjesë të madhe të shoqërisë, deri para pak të paimagjinueshme .
“Në aspektin ekonomik, ky konflikt ishte një goditje e fortë oferte për thuajse gjithë kontinentin evropian, goditje e cila u pasqyrua në rritje të inflacionit dhe të pasigurisë, në përkeqësim të termave të tregtisë, në thellim të deficiteve të llogarisë korrente, si dhe në shtrëngim të kushteve financiare”.
Nga ana tjetër, drejtoresha e BERZH-it për Shqipërinë, Ekaterina Solovova, theksoi se vendi ka bërë progres në zbatimin e projekteve strategjike.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.