Çmimet e ushqimeve dhe produkteve të tjera që përdorim çdo ditë u rritën më lehtë se një vit më parë edhe në korrik. Vala e inflacioni vijoi tërheqjen për të dytin muaj me radhë, me treguesin e ndryshimit të çmimeve të fiksuar në nivelin 2.1 për qind nga 4.2 për qind korrikun enjë viti më parë. Të dhënat nga Instituti i Statistikave tregojnë se ky është niveli më i ulët i inflacionit që prej qershorit të vitit 2021.
“Në rënien e inflacionit ndikim po ka zbutja e çmimeve në vendet nga ku ne importojmë. Kjo di te vendet e Rajonit ashtu edhe te ato europiane. Kursi i këmbimit gjithashtu po jep kontributin e vet. Rënia e valutave po i bën çmimet e importet për të ulëta”, tha Eduart Gjokutaj, ekspert për ekonominë.
Pavarësisht flukseve të shkuara të turistëve, edhe më e fortë rezulton rënia e inflacionit te ushqimet dhe pijet muajin e shkuar. Treguesi përllogaritet në 1.9 për qind, nga 10.3 për qind korrikun e një viti më parë. Por shifrat, pak përputhen me atë që qytetarët përjetojnë çdo ditë.
“Jo që nuk ka rënë gjë, por çmimet janë rritur. Ata gënjejnë. Në Angli çmimet e konsumit janë gati njësoj me Shqipërinë. Kjo është e tmerrshme. Këta po mbushen e ne po zbrazemi”, thonë qytetarët.
Sipas Institutit të Statistikave, rënia e inflacionit edhe në prill u ndikua kryesisht nga zbutja e çmimeve të karburanteve. Gjithashtu, muajin e shkuar u rritën më ngadalë edhe çmimet e ushqimeve e pijeve, qiratë, duhani, kafenetë e veshjet.
“Çmimet anë të larta. Rritja po ndodh më lehtë. Nëse nuk do të rriteshin çmimet nuk do të kishim inflacion fare”, tha Eduart Gjokutaj, ekspert për ekonominë.
Një inflacion në këto nivele, veç konsumatorëve është lajm i mirë edhe për ata që kanë kredi në banka. Pas zbutjes së politikës monetare në fillim të muajit të shkuar, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Sejko në konferencën e fundit dha sinjale për ulje më tej të interesave në varësi të ecurisë së inflacionit. Kjo do të bënte që huamarrësit shqiptarë në lekë të paguanin më pak në këstet e tyre të kredive.