Ambasadori amerikan në Beograd, Christofer Hill, beson se njohja zyrtare e pavarësisë së Kosovës nuk do të jetë kusht për Serbinë që të pranohet në Bashkimin Europian.
Ai mendon se kushti kryesor është normalizimi i marrëdhënieve fqinjësore mes Beogradit dhe Prishtinës. Duke folur për gazetën NIN, Hill nënvizoi se Brukseli dëshiron vetëm paqe dhe siguri në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
“Mendoj se ata e kanë thënë shumë qartë se ka vende anëtare të BE-së që nuk e njohin Kosovën, kështu që çështja, e rëndësishme, është të përpiqemi të arrijmë normalizimin ku ata kufij nuk do të jenë kufij që ndajnë, por kufij që bashkojnë”, thotë ambasadori amerikan në Serbi.
Megjithatë, Bashkimi Europian ka konfirmuar zyrtarisht se zbatimi i marrëveshjes së normalizimit, ku përfshihet dhe njohja defakto e Kosovës, është një kusht për Serbinë në kapitullin e 35 të negociatave të anëtarësimit.