Bashkimi Europian nuk ka kohë për të humbur për çeljen e negociatave për Shqipërinë. Kështu deklaroi në një vizitë zyrtare në Tiranë, kryetari i Komitetit për Punën e Jashtme në Parlamentin Europian David McAllister, i cili tha se Shqipëria i ka përmbushur të gjitha kushtet.
Në fjalën e tij, zyrtari i lartë i BE-së tha qartë se gjuha e urrejtjes dhe retorika përçarëse ndërmjet palëve politike në vend, do të pengojë procesin e integrimit. Pa një opozitë të fortë dhe konstruktive, tha Mcallister, nuk mund të ketë ecuri në zbatimin e reformave për të mirën e qytetarëve. Ai kërkoi bashkëpunim konstruktiv politik.
David Mcallister, njëkohësisht edhe zv.president i Partive Popullore Evropiane, (Partitët e Qendrës së Djathtë në Evropë) tha se po ndjekin me vëmendje, zhvillimet politike brenda Partisë Demokratike. I pyetur nëse do të bashkëpunojë me Sali Berishën, i shpallur non grata, Mcallister, nuk u prononcua, por tha se javën e ardhshme do të ketë një konferencë në Roterdam dhe mbledhje të asamblesë së partisë, ku pritet të diskutohet edhe për këtë çështje.
Sa i përket shqetësimit për deklaratat e Ramës në Bruksel që Shqipëria të shkëputet nga Maqedonia e Veriut nëse nuk ka përgjigje pozitive në qershor, McAllister tha se gjithmonë politikanët kanë plane të tjera, por mbetet për t’u parë çfarë do të ndodhë muajin në vijim.
Sakaq zhvillime spektakolare, i cilësoi zyrtari i lartë i BE-së, arrestimet e dy ish-ministrave Lefter Kokës dhe Saimir Tahirit, ku tha se kjo tregon se autoritetet shqiptare e kanë marrë seriozisht luftën e saj kundër krimit dhe korrupsionit.
Siparin e takimeve me krerët e politikës shqiptare, McAllister e nisi me kryeministrin Edi Rama, pasditen e së hënës, me të cilin diskutuan për reformat gjyqësore dhe reformat e tjera, rekomandimet e rezolutës së PE dhe integrimin rajonal.
Ndërsa mëngjesin sotëm delegacioni u prit nga presidenti Ilir Meta, i cili tha se kanë folur për çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Meta thotë se i bëri të qartë se shqiptarët besojnë tek projekti europian për të ardhmen e tyre më të mirë.
Mcallister u takua edhe me Jorida Tabakun, e cila është kryetarja e Komisionit për Integrimin në BE. Kjo e fundit i tha diplomatit evropian se Shqipëria s’i ka përmbushur kushtet, por do të bëjmë të pamundur që të vijojë progresi për konferencën e parë ndërqeveritare.