Ministria e Jashtme e Iranit ka deklaruar se thirrjet nga Franca, Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar për të shmangur përshkallëzimin “u mungon logjika politike dhe bie ndesh me parimet e së drejtës ndërkombëtare”. Lajmi është bërë i ditur nga agjencia e lajmeve Reuters.

Të tre vendet evropiane lëshuan një deklaratë dje duke i bërë thirrje Iranit dhe aleatëve të tij që të përmbahen nga sulmet kundër Izraelit pas vrasjes së Ismail Haniyeh, udhëheqësit politik të grupit islamik palestinez Hamas, në Teheran muajin e kaluar, të cilin Teherani dhe grupi shiit libanez Hezbollah ia atribuojnë ndaj shtetit hebre.

“Pa asnjë kundërshtim ndaj krimeve të regjimit sionist (Izraeli) deklarata e tre vendeve evropiane i bën thirrje me paturpësi Iranit që të mos përgjigjet ndaj shkeljes së sovranitetit dhe integritetit territorial të tij”, tha zëdhënësi i ministrisë së Jashtme iraniane, Naser Kanaani.

Kanaani tha se Teherani është i vendosur për të penguar Izraelin dhe i bëri thirrje Parisit, Berlinit dhe Londrës që “të ngrihen njëherë e përgjithmonë kundër luftës në Gaza dhe luftënxitjes së Izraelit”.

“Mosveprimi i Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe mbështetja e gjerë politike dhe ushtarake e qeverive perëndimore ndaj regjimit sionist (Izraelit) janë faktorët kryesorë prapa zgjerimit rajonal të krizës së Gazës”, tha ai./