Ushtria amerikane ka ngritur dyshime se Shteti Islamik mund të ketë sulmuar bazën e trupave amerikane në Irak me armë kimike. Sulmi i ndodhur ditën e martë, fatmirësisht nuk pati asnjë viktimë, ndërkohë që nëse vërtetohet, do të shënojë rastin e parë të një sulmi të tillë ndaj forcave amerikane. Bagdadi ende nuk ka konfirmuar asgjë, ndërsa në Irak janë dokumentuar 20 raste të përdorimit të armëve kimike në luftën kundër militantëve.
Militantët e Shtetit Islamik mund të kenë hedhur një raketë kimike në bazën e trupave amerikane në Irak.
Raketa e cila u ndal disa metra larg bazës së trupave amerikane pranë Mosulit, mendohet se kishte në përbërje agjentë sulfuri, të cilat përdoren në armët kimike.
Gjatë këtij sulmi nuk ka patur asnjë të lënduar, ndërkohë që në bazën amerikane jetojnë disa qindra ushtarë.
Nëse rast se konfirmohet, ky do të jetë sulmi i parë me armë kimike ndaj forcave të koalicionit në Irak.
Megjithatë, trupat e vendosura në këtë bazë janë të pajisur për t’u përballur me raste të mundshme të një sulmi kimik.
Nuk ka patur ende një konfirmim nga Bagdadi lidhur me këtë sulm, megjithatë, deri tani janë dokumentuar 20 raste të përdorimit të armëve kimike në luftën kundër kurdëve në Irak.
Prej kohësh ka dyshime se Shteti Islamik është duke krijuar dhe përdorur armë kimike jo të sofistikuara në Irak e Siri, ku organizata kontrollon territore.
Në sasi të mjaftueshme, agjenti sulfuror mund të gjymtojë ose të vrasë persona, duke dëmtuar lëkurën, sytë dhe rrugët e frymëmarrjes.
Mosuli, qyteti i dytë më i madh në Irak, është nën kontrollin e ISIS që prej dy vitesh dhe beteja për rimarrjen e tij, pritet të fillojë në javët në vazhdim. Trupat amerikane po mbështesin forcat vendore, teksa ato përgatiten për ofensivën.