Me çapa të ngadaltë Ismail Kadare, shkrimtari ‘par excellence’ i letrave shqipe afrohet në stendën “Onufri” pranë Pallatit të Kongreseve. Helena dhe botuesi Bujar Hudhri i qëndrojnë në krah.

“Takimi me lexuesin është një kënaqësi shumë e madhe për çdo autor. Njësoj ndodh me mua dhe Ismailin. Por ai, krahas kënaqësisë ka edhe heziton disi para se të vijë, stepet se mos prej lodhjes nuk e përballon dot”, tregon Helena Kadare

Është padyshim këndi më entuziast i këtij Panairi të 26-të, gëzimin për lexuesit e shkrimtarët e shton botimi i veprës së plotë në 7 vëllime të Kadaresë. Është 87 vjeç dhe kanë kaluar 70 vjet prej veprës së parë që ai quan krijimtari të mirëfilltë.

Ka prekur kulminacionet letrare në skenën ndërkombëtare, por a ka brenga shkrimtari Kadare?

“Nuk ka jetë pa brenga, s’ka brengë pa jetë”, shprehet shkrimtari Ismail Kadare.

Në këtë takim me kryefjalë Kadarenë, botuesi surprizon edhe Helenën me ribotimin e librit të saj ‘Kohë e pamjaftueshme’. E pranojnë të dy bashkëshortët, se shkëlqimi i shkrimtarit ka lënë në hije një shkrimtare e përkthyese si Helena.

“Nuk mund të them se ndihem fajtor për këtë fakt, por kur emri i Helenës përmendet ngjitur me emrin tim, kjo më jep gëzim, siç më jep gëzim qenia e saj përbri meje”, shprehet shkrimtari.

“Jam e sigurt që do të kisha shkruar 10 apo 20 libra më shumë por e kam ditur që e re, se ndihma që duhet t’i jepja shkrimtarit do të ishte më e rëndësishme se librat që unë mund të shkruaja”, shprehet shkrimtarja dhe përkthyesja Helena Kadare.

Vepra e Kadaresë krijon çdo ditë pikëtakime të reja letrare, si  me ‘Pallati i Ëndrrave’ këtë nëntor në libraritë italiane. Protesta e tij letrare, për diktatorët e diktaturën, në të dy kohët është fakt. Por, a i frikohej Ismail Kadare, pasojave që mund të vinin prej asaj që shkruante?

“Kur bën diçka që e di që nuk vdes nuk ke frikë sepse frika kryesore në jetë është vdekja. Kur shkrimtari shkruan ai çlirohet nga vdekja! Kur çlirohet nga vdekja do të thotë që jeta për të është e pafundme.

Çdo vepër e shkruar ka ndjesi dhe mendim të ‘kalitur’ prej situatave, njerëzve, momenteve kur është shkruar. Kadare është prej atyre autorëve, që ka zgjedhur që t’i rishikojë disa prej librave. Po për çfarë nevoje?

“Nuk gjen ndonjë nevojë, por është vet qenia e saj, ekzistenca e saj, një nevojë për të shkruar prapë!”, thotë ai.

Nuk janë indiferent ndaj asaj që ndodh në botë. Lufta në Ukrainë e së fundmi konflikti Izrael-Palestinë.

“E vuajmë vërtetë këtë që ndodh atje! Është me të vërtetë një situatë shumë absurde sepse ndërkaq vriten civilët në të dy krahët! “, shprehet Helena.

Shqipëria mbetet djepi ku përkundin qetësinë e tyre dhe mbushin zemrat. Por a i ndjekin zhvillimet politike ne vend? A ndihen ata optimist, pesimist, të sigurt në vendin e tyre?

“Absolutisht e sigurtë, për mua këtë optimizëm ma ka dhënë përherë Ismaili, sepse gjatë gjithë kohës më thotë se Shqipëria po jeton vitet më të mira të saj. Edhe pse i numëroj gjërat që nuk shkojnë, po kjo, po kjo? Pavarësisht nga këto ai ka ngulur gjithnjë këmbë për këtë, që jemi në kohën më të mirë, asnjëherë Shqipëria nuk ka qenë në një pozicion kaq të favorshëm ndaj botës” .

‘Kur sunduesit grinden’ është botimi më i fundit i Kadaresë, ende s’ka një libër të ri, por gjithmonë ka subjekte që i ngacmojnë mendimet, pse jo për një subjekt të radhës