Seanca e kësaj të enjteje në Kuvend ka pasur tensione.
Deputeti i Partisë Demokratike Flamur Noka kërkoi vazhdimisht fjalën, ndërsa nënkryetarja Ermonela Felaj e ka refuzuar.
Në mes të debatit, Sali Berisha është çuar të marrë fjalën me forcë në foltore dhe është shoqëruar nga Flamur Noka.
Garda është pozicionuar menjëherë pas tij duke parë dhe situatën e tensionuar.
Në këto kushte, Felaj kërkoi ndërprerjen e seancës me 5 minuta.
Pas tensioneve, ai la Kuvendin dhe mbajti një deklaratë jashtë tij.
Ai tha se protesta e radhës do të bëhet brenda vitit por pa dhënë një datë të saktë. Berisha theksoi se komunikimi ashtu si sot përmes rrjeteve sociale do të bëhet i zakonshëm në rast se socialistët vijojnë të sillen në këtë mënyrë.
“Parlamenti është transformuar në një institucion ku vendosin grupet kriminale dhe merren vendime në interes të grupeve kriminale.
Ky parlament nuk meriton të ekzistojë. Në momentin e caktuar do vijë populli opozitar t’u thotë dy fjalë këtyre hajdutëve. Kemi dorëzuar një rezolutë për genocidin serb në Kosovë.
Nuk pranojnë të ndiqet procedura. Është ligj absolut. Linda e parlamentit, e mban në sirtare sepse kështu i thotë Edi i Surrelit.
A mund të funksionojë në këtë mënyrë parlamentit? Çfarë do thotë Linda e parlamentit kur Edi i Surrelit na thotë aty fjalët më të turpshme.
Është bërë një situatë e padurueshme. Ne sot u detyruam të komunikojmë me Facebook.
Kjo do jetë një gjë e zakonshme në parlament. Edi Rama mund të marrë çdo përgjigje aty. Por ne kemi fjalën si përgjigje. Ne shkojmë me fjalën.
Jemi që parlamenti të funksionojë që të jetë arena e debatit dhe të vërtetave. Sot është vetëm fillimi i një beteje. Brenda këtij viti, këtu zbret Europa.
Europa duhet të shohë popullin e saj. Populli opozitar do të jetë këtu patjetër”, tha Berisha.