Komisioni Europian ka reaguar ashpër ndaj deklaratës së kryeministrit Edi Rama gjatë festimeve të pavarësisë së Kosovës, ku tha se ‘mund të kemi edhe një president të përbashkët’ mes Shqipërisë dhe Kosovës.
Jemi “kundër deklaratave që mund të inmterpretohen si ndërhyrje”. Ka reaguar menjëherë KE.
“Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, me rastin e 10-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës sugjeroi që Kosova dhe Shqipëria të kenë një President të përbashkët. Kjo tingëllon si një projekt i Shqipërisë së Madhe. Ka ndonjë koment Komisioni për mundësinë e ndryshimit të kufijve në Ballkan?”.
Kjo ishte pyetja e gazetarëve në daljen e radhës para mediave të zëdhënëses për Politikat e Jashtme dhe Sigurinë në Bashkimin Europian, Catherine Ray.
“Deklarata që mund të interpretohen si ndërhyrje politike në vendet fqinje nuk ndihmojnë në ndërtimin e marrëdhënieve të mira mes fqinjëve. Bashkimi Europian pret që në të gjithë rajonin të vijojë ndërtimi i marrëdhënieve konstruktive dhe bashkëpunuese mes vendeve, si dhe të intensifikohet puna me programet përkatëse të reformave, për të avancuar më tej në rrugën e integrimit europian”, deklaroi zëdhënësja.
Catherine Ray ritheksoi qëndrimin e Brukselit sa i takon të ardhmes së Ballkanit Perëndimor.
“BE ka mbështetur vazhdimizht pajtimin dhe bashkëpunimin rajonal në Ballkanin Perëndimor. Këshilli Europian ka theksuar mbështetjen pa ekuivoke për perspektivën e qartë europiane të Ballkanit Perëndimor, ndaj ne do të vijojmë të punojmë me këto vende”, vijoi ajo.
Veritas.com.al/