Shtyhet në orën 12:00 seanca në apel për ish-kryeministrin Sali Berisha. Gazetari Ermal Vija raporton se gjyqtarja Iliriana Olldashi dëgjoi prokurorët e SPAK që i thanë gjykatës se nuk ka ndryshuar asnjë rrethanë për ndryshimin e masës për Berishën.
Nga ana tjetër, avokati Genci Gjokutaj kundërshtoi informacionin dy mujor dhe në të njëjtën kohë kërkoi heqje të masës arrest shtëpie.
“Në Apelin e Posaçëm është parashikuar seanca sa i takon zëvendësimit të masës së sigurisë për Berishën, kërkesë e bërë për të disatën herë, ku kërkon të hetohet në gjendje të lirë, sesa masa e arrestit shtëpiak, që po mbahet i izoluar që prej 30 dhjetorit. Do të ketë edhe një kërkesë për informacion sa i takon hetimeve nga SPAK në lidhje me hetimet ndaj ish kryeministrit Sali Berisha dhe Jamarbër Malltezit nën akuzën e korrupsionit në lidhje me privatizimin e ish kompleksit Partizani. Arben Kraja dhe Enkeleda Millonai do të japin informacion përballë gjykatës”, raportoi gazetari.
Ish-kryeministri po hetohet për korrupsion pasi ka dyshime se ka favorizuar duke nxjerrë akte nën ligjore për t’i ardhur në ndihmë dhëndrit të tij Jamarbër Malltezi që përfaqësonte familjet e disa ish-pronareve që përfituan më pas pronën në ish-kompleksin Partizani por në kundërshtim me ligjin.