Departamenti Amerikan i Shtetit ka hedhur poshtë akuzat ndaj ambasadores në Shqipëri, Yuri Kim nga ish-kryeministri, Sali Berisha – i cili në maj është shpallur si persona non grata nga SHBA-të.

Lajmin e ka bërë të ditur Zëri i Amerikës, pasditen e 14 dhjetorit, ku zëdhënësi i DASH-it, Ned Price ka theksuar se, “Washingtoni është i shqetësuar nga sulmet e pajustifikuara ndaj ambasadores tonë në Tiranë. Këto sulme të shëmtuara nuk përfaqësojnë popullin shqiptar”.

Berisha e ka akuzuar Kim-in që po sillet si Guvernatore dhe ka harruar rolin e ambasadores. Si dhe ajo mbështet kryeministrin Edi Rama.

“Siç e ka udhëzuar Washingtoni, ambasadorja Kim ka shpjeguar dhe zbatuar qartë politikat e Shteteve të Bashkuara, përfshirë vendosmërinë e Presidentit Joe Biden për të mbajtur përgjegjës ata persona që përfshihen në korrupsion, ose minojnë demokracinë”, ka bërë me dije Pice për Zërin e Amerikës.

Ndër të tjera ai ka deklaruar se vlerësojnë marrëdhëniet me popullin shqiptar dhe vitin e ardhshëm do të kremtojmë 100 vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve mes dy vendeve.

“Marrëdhëniet tona i mbijetuan komunizmit dhe diktaturës për shkak të angazhimit të përbashkët për demokraci dhe respektit të ndërsjellë”, e ka mbyllur deklaratën e tij Price.

Nga ana tjetër Yuri Kim ka deklaruar se SHBA-të do të ndërpresin marrëdhëniet me PD-në, nëse kryesimin e saj e merr ish-lideri Sali Berisha.

“Nuk do të angazhohemi me askënd që është shpallur non grata nga Sekretari i Shtetit”.

Sali Berisha bashkë me familjen e tij u shpallën persona non-grata në SHBA. Ka qenë sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken, që bëri me dije vendimin e DASH-it.

Bazuar në këtë vendim, kreu i selisë blu Lulzim Basha e përjashtoi Berishën nga Grupi Parlamentar i PD-së.