Një ndërhyrje e vështirë kirurgjikale është kryer nga mjekët e Qendrës Spitalore “Nënë Tereza”, duke i dhënë jetë për së dyti një 62 vjeçari. Pacienti erdhi nga spitali i Fierit me urgjencë. Mjekët shpjegojnë se ai duhej t’i nënshtrohej një operacioni urgjent pasi rezultoi me aneurizëm të aortës abdominale.

Pacienti kishte pësuar një çarje brenda murit të barkut duke shkaktuar humbje të madhe të gjakut. Kirurgu Sokol Xhepa e sheh suksesin tek reagimi i shpejtë dhe bashkëpunimi i të gjitha strukturave shëndetësore. Familjarët thonë se nuk kishin shpresa por pas operacionit që zgjati 4 orë u befasuan.

“Babai erdhi në minutat e fundit. Nuk kishim pritshmëri. Ka qenë një reagim në kohë rekord. Pritshmëritë ishin të ulëta por mbaj mend fytyrat e mjekëve kur kanë dalë na operacioni, ishin të djersitur por ndodhi mrekullia. Kjo është mrekulli”, tha e bija.

Kryeministri Edi Rama ka ndarë një video lidhur më këtë rast, ku shkruan: “MIRËMËNGJES me një tjetër episod të veçantë të serisë së ndërhyrjeve të suksesshme të bluzave të bardha të QSUT-së së transformuar rrënjësisht, ku në kohë rekord u krye një ndërhyrje kirurgjikale tejet sfiduese, e cila i dha një jetë të dytë pacientit 62-vjeçar, ju uroj një javë të mbarë”./abcnews.al