Nga Antony Beevor

“Foreign Affairs”

Një nga fitoret më të mëdha ushtarake të Rusisë, ndodhi pikërisht gjatë dimrit më të ftohtë që ishte parë në Evropë në 500 vjet. Në fillimin e shekullit XVIII Cari Pjetri i Madh, luftoi për  të zmbrapsur forcat e frikshme të mbretit të Suedisë Karlit, që po përparonin drejt Moskës.

Më pas erdhi ngrica e madhe e dimrit të viteve 1708-1709. Thuhej se zogjtë ngrinin në mesin e fluturimit dhe binin përtokë të ngordhur. Ushtria e Karlit prej më shumë se 40.000 burrash u përgjysmua si pasojë e të ftohtit ekstrem dhe urisë.

Në një përpjekje për t’i shpëtuar të ftohtit, mbreti suedez udhëhoqi atë që kishte mbetur nga ushtria e tij më në jug në Ukrainë, për t’u bashkuar me udhëheqësin kozakHetman IvanMazepa, dhe forcat e tij. Por dëmi ishte bërë.

Verën që pasoi, ushtria ruse e Pjetrit të Madh e dërrmoi ushtrinë e dobësuar të Karlit në Betejën e Poltavës, duke i dhënë fund perandorisë suedeze dhe planeve të saj agresive ndaj Rusisë. Por suedezët nuk ishin as ushtria e parë dhe as e fundit evropiane që u asgjësuan nga “Gjeneral Dimri” në kufijtë e Rusisë.

Të ndikuara shumë nga hapësira e madhe territoriale, luftimet gjatë dimrit në këtë rajon kanë rezultuar të jenë shpesh varreza e ushtrive të mëdha. Për shekuj me radhë, kjo dukuri ka qenë shpeshherë në avantazhin e Rusisë, pasi një sërë ushtrish të fuqishme kanë kapitulluar përballë pajisjeve të papërshtatshme për dimrin, linjave të dobëta të furnizimit dhe përgatitjes së dobët.

Por ndërsa lufta e presidentit rus Vladimir Putin në Ukrainë po hyn në muajt më të ashpër të vitit, ka shumë shenja se këtë herë mund të jetë Rusia, dhe jo kundërshtari i saj, ajo që do tëvuajë pasojat më të rënda. Humbja më e njohur dimërore në Rusi ndodhi në vitin 1812 – pak më shumë se një shekull pas Betejës së Poltavës – kur Grande Armée (Ushtria e Madhe) e Napoleonit u tërhoq nga Moska.

Taktikat ruse të ‘tokës së djegur’, të cilat i lanë francezët pa ushqim apo strehë përgjatë linjës së tërheqjes, e bënë edhe më vdekjeprurëse atë lëvizje. Por viktimat më të shumta në numër kishin humbur jetëmë herët. Grande Armée kishte në përbërje gati gjysmë milionë trupa kur kaloi kufirin midis Prusisë dhe Rusisë, në qershorin e vitit 1812.

Por shpejt ajo humbi 1/3 e forcës së saj nga vapa e madhe e verës, sëmundjet, uria dhe lodhja, teksa perandori po i detyroi njerëzit e tij të përparonin drejt Moskës. Edhe pse në fillim tërheqja në hapësirën e madhe ruse në fillim ishte e paqëllimshme, komandantët e Car Aleksandrit I e kuptuan shumë shpejt avantazhin.

Ata vazhduan të tërhiqeshin në lindje dhe nuk u ndalën derisa gjenerali Mikhail Kutuzovurdhëroi që të përgatitej rezistenca në Borodino, 120 km në perëndim të Moskës. Beteja ishte një fitore e kushtueshme për francezët, edhe pse u dha atyre mundësinë atyre të hynin në Moskë pa asnjë përleshje.

Por dimri që po afrohej doli të kishte pasoja fatale për pushtuesit. Napoleoni harxhoi 5 javë shumë të vlefshme në Moskë, në pritje që Cari të pranonte kapitullimin. Kur Grande Arméenisi të tërhiqej në Evropën Qendrore më 19 tetor, ushtarët mbanin ende uniformat e tyre verore.

Po ashtu kishin pak furnizime ushqimore. Mangësia e tyre më e madhe ishte në repartet e kalorësisë për të frenuar sulmet e kozakëve plaçkitës. Sulmet e befasishme të këtyre të fundit nisën një muaj më vonë, ndërsa kuajt e fundit me ngarkesat ushqimore të ushtrisë franceze u rrëzuan përtokë dhe ngordhën nga i ftohti dhe mungesa e ushqimit.

Ushtarët e uritur ua konsumuan menjëherë mishin. Dezertimi apo dorëzimi nuk ofronte asnjë garanci për mbijetesë. Kozakët hakmarrës mezi prisnin të godisnin francezët me shtizat e tyre të gjata; ndërsa fshatarët rusë i therën me kosat e tyre. Në fillim të dhjetorit, Napoleoni pati frikë nga një grusht shteti gjatë mungesës së tij në Paris.

Ai e braktisi ushtrinë e tij në mëshirën e fatit. Deri në atë moment, forcat e tij kishin pësuar rreth 400.000 viktima, dhe ai kishte humbur reputacionin e tij për pathyeshmërinë në fushën e betejës. Por më pak e njohur, edhe pse ndoshta po aq domethënëse, ishte mënyra se si fitoi Rusia.

Pavarësisht se kishte humbur 200.000 njerëz, udhëheqja ushtarake e Rusisë ishte shumë më pak e shqetësuar për viktimat sesa Napoleoni. Oficerët rusë i trajtonin ushtarët e tyre fshatarë vetëm paksa më mirë sesa bujkrobërit (bujkrobëria nuk do të shfuqizohej në Rusi edhe për 50 vjet të tjera).

Kjo mungesë interesi për mirëqenien e ushtarëve – dhe qëndrimi i ftohtë ndaj humbjeve tëmëdha përmes taktikës sëë mishit për top – janë të dukshme edhe në ushtrinë e Putinit në Ukrainë sot. Gjatë shekullit XX, kushtet e egra të dimrit në territorin euroaziatik, përbënin një kërcënim në rritje jo vetëm për njerëzit dhe kuajt, por edhe për armatimin ushtarak.

Ndonjëherë kjo funksiononte në dëm të Rusisë. Kështu pavarësisht fuqisë së saj disproporcionale dhe harxhimeve të mëdha në municione, ushtria sovjetike dështoi të thyente rezistencën finlandeze në Luftën e Dimrit të viteve 19391940, pas pushtimit të Finlandës nga Stalini.

Finlandezët terrorizuan ushtarët e Ushtrisë së Kuqe ditën dhe natën, ndërsa trupat e tyre që lëviznin përmes skive dhe të maskuara me veshje të bardha, nisnin sulme të befasishme nga pyjet, pastaj zhdukeshin si fantazma. Trimëria dhe aftësia e tyre e bindi Stalinin të pranonte pavarësinë e Finlandës.

Por shërbeu edhe si mësim për luftën e ardhshme. Ushtria e Kuqe të paktën mësoi se armët dhe motorët kishin nevojë për lubrifikantë të veçantë në kushtet ekstreme të motit. Masa të tilla rezultuan kyçe në aftësinë e Stalinit për të bllokuar ushtritë e Hitlerit në periferinë e Moskës në dhjetorin e vitit 1941.

Si ushtria gjermane ashtu edhe Luftëaffe ishin të papërgatitura. Gjermanët u detyruan tëndiznin zjarre nën automjetet e tyre dhe motorët e avionëve për t’i shkrirë nga ngricat.  Ushtarët gjermanë i kishin zili uniformat dimërore të Ushtrisë së Kuqe, me kostume të bardha kamuflazhi dhe me xhaketat e trasha prej pambuku, të cilat ishin shumë më efektive sesa palltot standarde gjermane.

Gjeneral Dimri luajti një rol të madh në fitoren përfundimtare të Ushtrisë së Kuqe në vitin 1945. Ndërkaq në shkurt të këtij viti, Vladimir Putin nisi “operacionin e tij special ushtarak” në Ukrainë. Në atë kohë, trupat e pararojës u urdhëruan të merrte me vete uniformat e paradës gati për të festuar fitoren, një nga shembujt më të mëdhenj të arrogancës ushtarake në histori.

Por pas 7 muajsh katastrofikë kur Kremlini u detyrua të urdhëronte një “mobilizim të pjesshëm” të popullsisë ruse, iu desh që të paralajmëronte rekrutët se mungonin uniformat dhe pajisjet e duhura. Se ata duhet të siguronin vetë jelekët anti-plumb, fashot në rastin e plagosjes, dhe madje të merrnin nga shtëpia jastëkët për të fjetur.

Mungesa e fashove është befasuese, sidomos tani në mesin e dimrit, pasi ato janë jetike që acari të mos depërtojë tek plagët e hapura. Rreziqet shtohen edhe nga predhat e mortajave që përplasen mbi tokën e ngrirë:në dallim nga balta e butë, e cila amortizon pjesën më të madhe të shpërthimit, toka e ngrirë i përhap më shumë thërrmijat vdekjeprurëse.

Komandanti i ri i Putinit në Ukrainë, gjenerali Sergei Surovikin, është i vendosur që të ndalëpërpjekjet e disa rekrutëve për të shmangur luftimet. Shumë prej tyre kanë përdorur sabotimin e karburanteve, armëve dhe automjeteve, për të mos folur për plagët e vetëshkaktuara dhe dezertimet.

Megjithatë, problemi i vjetëstrukturor i ushtrisë ruse – mungesa e nënoficerëve me përvojë – ka shkaktuar në një rekord të tmerrshëm të mirëmbajtjes së armëve, pajisjeve dhe automjeteve. Këto probleme do të bëhen veçanërisht të kushtueshme në dimër përballë teknologjive të përparuara siç janë dronët.

Ndërsa të dyja palët po hyjnë në një sezon luftimesh shumë më sfidues, rezultati do të varet kryesisht nga morali dhe vendosmëria. Ndërsa trupat ruse po vajtojnë mungesat e tyre të mëdha në pajisje ushtarake dhe mungesën e ushqimit të nxehtë, trupat ukrainase po përfitojnë nga furnizimet me uniformat cilësore dimërore, tendat e pajisura me soba dhe çantat e gjumittë ofruara nga Kanadaja dhe vendet nordike.

Putin duket se po e mohon gjendjen e vështirë të ushtrisë së tij, dhe mënyrën se si Gjeneral Dimri do të favorizojë kundërshtarët e tij. Po ashtu ai mund të ketë bërë një gabim tjetër duke i përqendruar raketat e tij kundër rrjetit energjetik të Ukrainës dhe popullatës së saj civile të cenueshme. Ukrainasit do të përballen sigurisht me vuajtje të mëdha, por ka pak mundësi që të demoralizohen dhe dorëzohen.

Shënim:Antony Beevor, historian i njohur nga Britania e Madhe. Ai është autori i librit “Rusia, Revolucioni dhe Lufta Civile 1917-1921”.