Të gjitha fluturimet e disa prej kompanive të mëdha ajrore amerikane si Delta, United dhe American Airlines, janë anuluar mëngjesin e së premtes për shkak të problemeve të rrjetit të komunikimit, kanë bërë të ditur autoritetet amerikane të Aviacionit.
Fluturimet e këtyre kompanive, pavarësisht destinacioneve, janë anuluar të gjitha. Është e paqartë sesa do të zgjasë ky problem që ka prekur me mijëra pasagjerë.
Ndërkohë, BBC raporton se përpos kompanive ajrore, probleme me rrjetet e komunikimit po raportojnë edhe një sërë bankash dhe kompanish mediatike nëpër botë.
Avionët janë ulur në pista në aeroportin e Sydney-t, ndërsa probleme ka raportuar edhe platforma e grupit të bursës së Londrës.
Linja europiane Ryanair raporton gjithashtu probleme përgjatë gjithë rrjetit të saj, për të cilat thotë se janë përgjegjëse probleme në palë të treta.
Kompania këshilloi udhëtarët që kanë të planifikuara udhëtime për ditën e sotme që të kontrollojnë aplikacionin e Ryanair për përditësime rreth fluturimit të tyre.
Problemet teknike me linjat e internetit dhe komunikimit ka shkaktuar kaos në Europë dhe më gjerë, duke bllokuar linjat ajrore, punën e bankave, nëpër media dhe kompani të tjera.
Sipas BBC, problemet më të mëdha janë evidentuar në Australi dhe në SHBA. Por dhe në Europë ka raportime për bllokime të punës, sidomos në linjat ajrore. Kjo për shkak të ndërprerjeve të internetit dhe komunikimit.
Fluturimet në aeroportin e Sidnei në Australi janë ndërprerë. Bursa e Londrës ka gjithashtu pezullime të punës.
Në Britaninë e Madhe, televizioni Sky News nuk është në transmetim për shkak të defekteve teknike. Drejtuesi i kompanisë ka thënë se televizioni nuk ka mundur të transmetojë LIVE mëngjesin e sotëm.
Probleme janë shfaqur edhe në linjat ajrore në Gjermani, Spanjë, SHBA etj, ku janë pezulluar fluturimet.
Sipas informacioneve, defektet teknike janë shfaqur në platformat e Microsoft. Kompania ka reaguar dhe thotë se është duke ndërmarrë veprime për të rregulluar defektin teknik që ka bllokuar shërbimet e ofruara prej saj. Problemi është identifikuar në shërbimet e aplikacioneve 365 të Microsoft, të bazuara në “Cloud”.