Deputetët e opozitës parlamentare dhe të mazhorancës kanë votuar të gjithë pro tek Komisioni i Ligjeve dhe Këshilli i Legjislacionit për nismën e opozitës parlamentare në ndryshimet kushtetuese.
Tashmë nisma është miratuar në tërësi dhe është puna e relatorëve të nismës që të dërgojnë në Kuvend raportin brenda ditës së sotme.
U miratuan dy nenet 1 dhe 2 që ndryshojnë nenet 64 dhe 68 që kanë të bëjnë me hapjen e listave dhe me koalicionet parazgjedhore. Por i mbetet Kuvendit që ta votojë dhe ta miratojë ose ta hedhë poshtë.
Jashtë këtyre ndryshimeve kushtetuese ka mbetur pragu zgjedhor, detajet e të cilit do rregullohen brenda Kodit Zgjedhor teksa më 30 korrik votohet në seancë plenare ku kësaj nisme i duhet pikërisht 94 vota.
Opozita parlamentare nga një prag 5%, u kthye tek një prag kombëtar 2%, por duket se sot ka marrë garanci nga mazhoranca se pragu do jetë natyral në çdo qark të Republikës së Shqipërisë. Me hapjen e listave pamundësohen koalicionet parazgjedhore por si nga opozita parlamentare dhe nga mazhoranca kanë bërë të ditur që subjektet mund të garojnë në lista të përbashkëta si formë zgjidhjeje pasi nuk mundësohet forma klasike.