-Kallëzohet ish-ministri Beqaj, ministrja Manastirliu dhe aksionerja e kompanisë fituese të check up-

Partia Demokratike ka dorëzuar në Prokurorinë e Posaçme Antikorrupsion, SPAK, kallëzimin penal për koncesionin e check up-it. Selia blu ka kallëzuar të paktën dhjetë persona, mes të cilëve ish-Ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqaj, Ministren aktuale të Shëndetësisë, Ogerta Manstirliu dhe aksioneren e kompanisë përfituese të check up-it, Vilma Nushi. Sipas PD-së, ata ngarkohen me 7 akuza, që nga korrupsioni aktiv dhe pasiv, shpërdorimi i detyrës deri tek përfitimi i paligjshëm.

“Kallëzimi penal ka analizuar me prova dhe fakte shkeljen e ligjit, në dy faza, në procedurën e dhënies në koncesion dhe përzgjedhjes së fituesit, si dhe në periudhën e zbatimit të kontratës. Në kallëzim evidentohet se Ministria e Shëndetësisë ka shkelur procedurat ligjore për shpalljen e fituesit dhe lidhjen e kontratës, si dhe ka shpallur fitues ofertuesin me çmimin më të lartë, duke sjellë dëm të lartë financiar për Buxhetin e Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm Shëndetësor. Sipas provave të administruara rezulton se Ministria e Shëndetësisë, ka pasur ngut të pashpjegueshëm për të përfunduar, në mënyrën e parapërcaktuar, këtë procedurë koncesionare. Ajo ka prezumuar mungesën e ankimit nga operatorët e tjerë, fakt ky që provon se e gjithë procedura koncesionare ka qenë fiktive dhe fituesi ishte paracaktuar”, thuhet në kallëzimin e firmosur nga Sekretari i Përgjithshëm i PD Gazment Bardhi.

Në kallëzimin e dorëzuar prej Partisë Demokratike vihet në dukje se funksionarët publikë nuk kanë ushtruar kontrolle apo kanë lejuar vazhdimin e shkeljeve të kontratës, duke i sjellë një dëm të jashtëzakonshëm qytetarëve shqiptarë dhe financave të shtetit.

“Kjo nuk kryhet vetëm si pasojë e paaftësisë, por ka në bazë një interes financiar dhe ekonomik, që i detyron të mos kryejnë detyrën funksionale dhe duke lejuar shkeljet e jashtëzakonshme të kontratës”, thuhet në kallëzimin e Partisë Demokratike.

Sipas PD-së, të gjitha shkeljet e kryera kanë sjellë dëm ekonomik për buxhetin e shtetit dhe se është provuar shkelje e barazisë në tendera, si dhe cënimin e interesit publik, duke pasur parasysh cilësinë e shërbimit dhe marrëdhënien financiare ndërmjet fituesit dhe Fondit të Sigurimeve Shëndetësore.

Veritas.com.al/