Organizata e Kombeve të Bashkuara ka vendosur të vazhdojë operacionin për shpërndarjen e ndihmave humanitare në Siri. Sulmi i së hënës mbi kamionët e OKB, i mori jetën 20 civilëve dhe çoi në pezullimin e ndihmave për disa ditë. Fuqitë ndërkombëtare do të mblidhen sot në një takim për të diskutuar çështjen e paqes në Siri.
Organizata e Kombeve të Bashkuara është e gatshme të vazhdojë dërgimin e ndihmave humanitare në Siri, pasi operacioni u pezullua për shkak të një sulmi ditën e hënë.
Kamionët do të fillojnë të udhëtojnë sa më shpejt të jetë e mundur, por në mënyrë të kujdesshme drejt disa zonave të prekura nga lufta. Për shkak të sulmeve dhe bombardimeve të ditëve të fundit, qyteti i Aleppo-s nuk do të mund të përfitojë dot nga këto ndihma.
Në Mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB, sekretari amerikan i shtetit John Kerry deklaroi se e ardhmja e Sirisë varej në fije të perit. Sipas tij, sulmi i të hënës, ku mbetën të vrarë 20 civilë, ka ngritur dyshime nëse Rusia dhe qeveria siriane do të përmbushin kushtet e marrëveshjes së armëpushimit.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë fajësuar Rusinë si përgjegjëse të sulmit mbi karvanin e ndihmës së OKB, ndërkohë që pala ruse ka lënë të kuptohej se incidenti ka ndodhur për shkak të pranisë së një droni amerikan në vendngjarje.
Fuqitë ndërkombëtare do të diskutojnë sërish përpjekjet për paqen në një takim në Nju Jork, gjatë ditës së enjte, ndërkohë që ka ende shpresë se mund të arrihet një marrëveshje e re.