Masat që i ka vendosur Bashkimi Evropian Prishtinës, si pasojë e “mosbindjes” të Albin Kurtit mund t’i shkaktojnë Kosovës mbi 500 milionë euro dëm. Kështu kanë bërë me dije ekspertë të ekonomisë, të cilët sqarojnë sqarojnë se këto masa ndëshkuese nga unioni kanë prekur prodhuesit.

Për këtë foli edhe ish ministri i Financave të Kosovës, Haki Shatri, i cili në një intervistë për “Sheshi i Dollarit”, theksoi se është jashtëzakonisht shqetësuese rrjedha ekonomike e vendit. Sipas tij, nëse nuk do të ishin remitancat, ekonomia do të shkonte në kolaps me politikat që ka ndjekur qeveria Kurti.

“Është jashtëzakonisht shqetësuese në rrethanat kur rrjedhat ekonomike nuk e kanë dinamikën e duhur, që premton zgjidhje të problemeve sociale si papunësia e lartë dhe shkalla e lartë e varfërisë. Qeveria Kurti me veprimet që ka bërë në veri, përveçse ka shkaktuar një klimë pasigurie për investitorët e huaj por edhe vendas si pasojë e veprimeve të gabuara ka bërë që të vendoset sanksione ndaj vendit dhe me këtë vlerësohet që të ketë një humbje të investimeve nga ndihmat e jashtme, donacionet dhe kreditë e jashtme për projekte të miratuara më herët deri në 500 milionë euro. Qeveria po ashtu ia ka kthyer shpinën aspektit të zhvillimit ekonomik, investimet publike kanë rënë në dy vitet e fundit, ky është viti i tretë që nuk realizohen investimet kapitale të parapara në buxhet deri në masën 700 milionë euro. Bllokimi i tyre nga rrjedhat ekonomike dhe bllokimi i parasë publike kanë bërë efekte negative që po mos të ishin remitancat nga diaspora, ekonomia do të kolapsonte me këtë politikë ekonomike që po zhvillohet në vend.“, theksoi ai.

I pyetur nëse dëmet do të vijojnë edhe më tej, ish ministri tha se pasojat më të rënda nga sanksionet e vendosura do të ndihen vitin që vjen.

“Edhe nëse qeveria e Kosovës merr masa ose respekton këshillat dhe rekomandimet e faktorit ndërkombëtar, sigurisht anulimi i vendimit për masat ndaj Kosovës nuk ndodh menjëherë. Do një procedurë, e cila siç e dimë nga përvoja e kalua, shumë ngadalë funksionon dhe stabilizimi i situatës me faktorin ndërkombëtar ndodh shumë më vonë. Pra efektet kanë filluar këtë vit të verehen por pasojat më të rënda do të jenë në vitin e ardhshëm dhe në vazhdim derisa të konslidohemi në marrëdhëniet me partnerët tanë dhe t’i rifunksionalizojmë këto kontrata me faktorin ndërkombëtar.”, theksoi ish ministri./abcnews.al