“Në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, Serbia është pajtuar që të heqë dokumentet për hyrje-daljet për qytetarët me letërnjoftime të Kosovës dhe Kosova është pajtuar që të mos lëshojë dokumente të tilla për qytetarët që posedojnë karta të identitetit të Serbisë”.
Ka qenë ky njoftimi i dhënë nga shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, pasditen e 27 gushtit.
Ai nëpërmjet një postimi në median sociale Twitter, thekson se më në fund Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshjen për heqjen e dokumenteve mbi hyrje-daljet për shtetasit nga të dyja vendet.
Kështu sipas Borrellit, serbët e Kosovës, si dhe të gjithë qytetarët e tjerë, do të mund të udhëtojnë lirshëm ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duke përdorur letërnjoftimet e tyre.
“BE-ja sapo mori garanci nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti për këtë”.
Në deklaratën e tij Borrel ka falënderuar të dy liderët për këtë vendim. Kjo pasi – për përfaqësuesin e BE-së – tregon se palët dinë t’i zgjidhin problemet.
Një reagim ka pasur edhe nga i dërguari i unionit për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.
Ai ka falënderuar të dërguarin e Washingtonit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, për arritjen e kësaj marrëveshjeje.
“E falënderoj emisarin Escobar dhe diplomacinë amerikane për përkushtimin e fuqishëm të tyre në mbështetjen e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja”, shkroi ai në Twitter.
Nga ana tjetër, raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, përpos mirëpritjes së marrëveshjes ka ravijëzuar se shpreson që të arrihet edhe marrëveshja përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë.
“Shpresojmë që zbatimi i shpejtë të çojë në gjetjen e zgjidhjes së targave të makinave dhe të na afrojë me marrëveshjen përfundimtare të normalizimit”, shkroi ajo në Twitter.
Ndërkombëtarët u angazhuan për të arritur një marrëveshje, pasi vendimi i 26 qershorit i Qeverisë së Kosovës për targat dhe dokumentet serbe shkaktoi përplasje në veri të vendit.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, shpesh ka deklaruar se ishte i gatshëm të hiqte dorë nga lëshimi i dokumentit për hyrje-dalje për shtetasit e Serbisë, nëse edhe Beogradi do të vepronte njësoj.
Ndërkohë sot, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha se Serbia do të pranonte dokumentet e Kosovës, vetëm nëse në kufi do të lëshohej një deklaratë ku bëhej e ditur se kjo nuk do të nënkuptojë njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Serbia.