Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) ka vendosur që kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, të jetë kandidat i saj për kryeministër në zgjedhjet e ardhshme të parakohshme parlamentare.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa tha në një konferencë për media, pas mbledhjes së Kryesisë së LDK-së se, Hoti e ka drejtuar në mënyrë të drejtë punën e Qeverisë dhe ka treguar se ajo zbaton ligjin dhe lufton kundër krimit dhe korrupsionit.

“Qeveria e ka bërë punën mirë në mënyrë të suksesshme duke rivendosur raportet që kanë qenë përpara më SHBA-në, BE-në dhe institucionet financiare si dhe ta kthejë besimin e këtyre vendeve dhe institucioneve karshi Kosovës”, tha Mustafa.

Ai vlerësoi edhe punën e Qeverisë në luftimin e pandemisë së koronavirusit.

Megjithatë, Mustafa tha se do të kërkojë edhe miratimin e Këshillit të Përgjithshëm të partisë për kandidaturën e Hotit për kryeministër.

Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti tha se gjatë këtyre shtatë muajve, qeveria e udhëhequr prejt tij, ka dhënë evidencë të sundimit të ligjit, luftimi të korrupsionit dhe rezultate në luftën kundër pandemisë.

Përveç LDK-së, edhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka zyrtarizuar kryetarin e saj në detyrë, Enver Hoxhajn, si kandidat për kryeministër.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë vijnë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, më 21 dhjetor, që vota e Etem Arifit, me rastin e votimit të Qeverisë së Avdullah Hotit, më 3 qershor, ishte e pavlefshme, pasi ndaj tij kishte një dënim të formës së prerë me mbi një vit burgim.

Në bazë të konstatimit të Gjykatës Kushtetuese, ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Vjosa Osmani, duhet të shpallë zgjedhjet, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se 40 ditë nga dita e shpalljes së tyre.

Ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Vjosa Osmani, tashmë i ka përfunduar konsultimet me partitë politike. Ajo ka njoftuar se vendimi për shpalljen e datës se kur do të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare, do të merret pas publikimit të vendimit të plotë të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese.

VERITAS.COM.AL