Emisari i BE-së, Miroslav Lajçak, pas takimit që pati me kryeministrin Kurti dhe katër diplomatët e tjerë, tha se kanë pritur më shumë kuptim për atë që ofron propozimi franko-gjerman.

“Qëllimi i këtij takimi me kryeministrin Kurti është që të diskutojmë propozimin që ja kemi paraqitur në shtator dhe dhjetor. Kemi më shumë se dy orë me kryeministrin dhe kjo tregon se takimi ishte i gjatë dhe nuk ishte i lehtë, por ishte shumë i hapur dhe i sinqertë. Është shumë herët që të bëjmë një deklaratë dramatike sepse siç e dini jemi në mes të misionit dhe do të vazhdojmë për në Beograd dhe s’ka shumë për të thënë. Kemi pritur kuptim më të mirë të mundësisë që ofron propozimi dhe që do të shfrytëzohet potenciali i këtij propozimi dhe ne do të vazhdojmë që të punojmë për këtë”.