-Kalimi i pragut nga Nisma ia merr VV-së tre deputetë, LDK-së, PDK-së e AAK-së nga një deputet-
Me vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa që të anulohen votat e ardhura nga Serbia, matematikisht koalicioni Nisma-AKR-PD qëndron me përqindje mbi pragun zgjedhor prej pesë për qind dhe hyrja e saj në Kuvend ndryshon strukturën parlamentare, raporton Koha.net.
Nisma-AKR-PD, nëse mbetet në fuqi vendimi për anulim të votave të ardhura nga Serbia dhe rinumërimi i 1472 vendvotimeve nuk ndryshon numrin e votave të këtij koalicioni, atëherë këto parti do të marrin gjashtë ulëse në Kuvend.
Albert Krasniqi, njohës i çështjeve zgjedhore, sipas formulës që është e integruar në Ligjin për Zgjedhjet në Kosovë, ka treguar se hyrja e koalicionit Nisma-AKR-PD në Kuvend ua merr tre deputetë Lëvizjes Vetëvendosje dhe nga një LDK-së, PDK-së e AAK-së, bazuar në rezultatet e publikuara ditë më parë nga KQZ-ja.
Nga 32 deputetë sa kishte VV-ja, pas rezultateve të para, me vendimin e ri, do të ketë 29. Nga lista e deputetëve te kjo parti hiqen Alban Hyseni, Enver Haliti dhe Arta Bajralija.
Te LDK-ja largohet Hatim Baxhaku dhe kjo parti do të ketë 28 deputetë.
Fadil Nura do të hiqet nga lista e deputetëve të PDK-së, për ta ulur në 24 numrin e ulësve për PDK-në.
Hyrja e Nismës e lë Partinë Socialdemokratike pa deputet. Natyra Kuçi e kësaj partie kishte hyrë me kuotë gjinore në listën e deputetëve të koalicionit AAK-PSD, por tash mbetet jashtë Kuvendit. AAK-ja do të ketë 1ë deputetë.
Veritas.com.al/