Për kreun e Prokurorisë së Posaçme Kundër Krimit dhe Korrupsionit, Arben Kraja, deri në këto momente nuk ka elementë që e lidhin daljen e të dhënave personale të shqiptarëve me kompetenca e SPAK. Ai garanton se nëse do të ketë të tilla indicie do të ketë hetim.
“Prokuroria e Posaçme vepron sipas kompetenca dhe nxjerrja e të dhënave publike nuk është në kompetencë. Nëse do të ketë elementë për ne do të ketë hetim”, tha ai.
Kreu i SPAK pranoi se ka shumë çështje në hetim edhe për zyrtarë shumë të lartë por tha se nuk mund të përmendte emra.
“‘Peshk i madh’ nuk ekziston në konceptin tonë. Ne kemi 2 seksione, një që lufotn krimin e organizuar dhe një që lufton korrupsioni dhe rezultatet kanë qenë publike. Kushdo që abuzon me fondet publike do të jetë subjekt i hetimeve tona. Ne kemi çështje të hapura për shumë elementë. Nuk mund të jap emra”, tha Kraja.
I pyetur nga gazetari i Report Tv Arsen Rusta mbi pritshmëritë e 2022-it, Kraja tha se do të vijojë puna e mirë e bërë deri më tani.
“Në 2021 ishte vit konsolidimi i SPAK, ngritja e BKH por edhe nga rezultatet nga të gjitha fushat. Edhe 2022 do të jetë me intensitet më të lartë në të gjitha këto fushatë. Mbyllim Byronë Kombëtare të Hetimit dhe vazhdojmë me ndjekjen penale brenda prioriteteve”, deklaroi Kraja.
Këto deklarata Arben Kraja i bëri pas takimit të përbashkët të Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor, ku ai ishte i pranishëm. Kujtojmë se gati 10 ditë më parë, në një ceremoni të posaçme u certifikuan 28 agjentë të Byrosë Kombëtare të Hetimit. Ky ishte nja hap i rëndësishëm drejt plotësimit të SPAK, i cili tashmë ka 17 prokurorë në strukturën e vet.