Gjatë një takimi me anëtarët e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, kryetarja aktuale e partisë ka lajmëruar rikthimin e “atij që e krijoi LSI-në”.
“Jam e bindur se brenda shumë pak muajsh, ai që krijoi LSI-në do të kthehet te ju”, ka deklaruar Kryemadhi.
Referuar presidentit të Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, numri një i LSI-së ka nënvizuar se ai “mezi pret që t’ju vijë”.
“I mungon miqësia juaj, entuziazmi juaj, sinqeriteti juaj. I mungon mundësia për të ndryshuar realitetin e ndotur të moçalit politik ku kishim qenë”, ka theksuar Kryemadhi.
Sipas saj LSI-ja, po shkon drejt një sfide të re, pasi kohë të tjera do të vijnë dhe do të duhen angazhime të tjera.
Për kreun aktual të LSI-së, koha e gjatë pa u mbledhur i ka shërbyer të gjithëve për të reflektuar.
“Na presim disa detyra të tjera, dhe jam e bindur se sot jemi shumë më pak se ç’jemi në të vërtetë. Pjesa më e madhe e juaja sot janë ata që e kanë ndjerë në çdo moment vështirësinë e atyre momenteve që shumë pak janë nga ajo çka ka ndodhur”, ka ravijëzuar Kryemadhi.
Kryetarja i është adresuar mbështetësve gjatë takimit me mesazhin që “koha është ajo që shëron plagët dhe është ilaçi më i mirë”.
Aktiviteti, bën me dije Kryemadhi, u organizua nga një ekip i ri i LSI-së.
“Ndaj të jetë 2022-shi viti i LSI, i të rinjve dhe të rejave. Mos të harrojmë se jo vetëm Ilir Meta, por të gjithë ne kemi investuar te LSI”, tha në përmbyllje kryetarja aktuale e LSI-së.