Edi Rama: Jemi në të njëjtin pozicion që kemi qenë dje. Oferta që i kam bërë PD është ajo e ditura, për të ndërtuar mekanizëm monitorimi të zgjedhjeve që PD të ketë të dy sytë në proces nga brenda qeverisë, me një zv/Kryeministër që të propozohet nga PD por jo nga radhët e PD. Dhe së bashku me 3 përfaqësues, të SHBA, BE dhe OSBE të drejtojë një Task Forcë për të siguruar që shteti dhe asetet shtetërore nuk keqpërdoren për fushatë elektorale.
Tre zv/ministrat të propozuar nga PD që të vendosën tek Ministria e Brendshme, Ministria e Drejtësisë dhe Ministria e Arsimit.
Këtë gjë kur kam qenë në krye të opozitës si kryetar i PS as nuk kam pasur kurajën ta pres në ëndrrën time më të bukur, por është diçka që duhet. Kjo e gjitha shoqërohet me një rregullore që monitorohet nga zv/Kryeministri në fjalë, qoftë për financim, nafta, karburanti të gjitha mjetet shtetërore, deri te kufizimi i aktiviteteve financiare në funksion të fushatës.
Kjo është oferta jonë. Sa i përket datës së zgjedhjeve, është 18 qershori. Ky është pozicioni ynë. Kohë shumë nuk ka. Jemi në limitet e kohës.
Një tjetër ofertë nuk e kemi dhe nuk do ta kemi, sepse nuk shohim hapësirë për më shumë.
Pyetje: E ka pranuar kryetari i opozitës?
Kryeministri Edi Rama: Këtë do ta thotë kryetari i PD. Por, në kuptimin tim të bisedës, përgjigja është jo. Dëshira ime e madhe është që fitorja të jetë e thellë me PD-në brenda në zgjedhje. Nuk është korrekte që pas një bisede të drejtpërdrejtë dhe korrekte pa banalitete, nuk është e drejtë që unë të komentoj kryetarin e Partisë Demokratike. Ai do vijë këtu vet.
Pyetje: Nga kush u kërkua takimi i sotëm?
Kryeministri Rama: Nuk ka pikë rëndësie kjo. Unë e kam kërkuar këtë takim prej dy muajsh. Jemi ulur më në fund. Më mirë vonë se kurrë.
Pyetje: Pozicioni juaj përkrahet nga partnerët?
Kryeministri Rama: Nuk komentoj as partnerët as bisedën me Bashën, unë shpjegoj qëndrimin tim.