Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pushuar në hotelin “Carlton” në Sant Moritz të Zvicrës.
Ky fshat turistik është më i shtrenjti në botë.
Pushimet familjare të zotit Haradinaj kanë zgjatur nëntë ditë. Suita “Czar” prej 160 metrash katrorë, në kohën e ndërrimit të viteve ka arritur çmimin mbi 5 mijë franga për një natë. Një darkë natën e Vitit të Ri në këtë holet ka kushtuar 1 mijë e 50 franga- raporton ‘Insajder’.
Nuk dihet saktësisht se sa ka paguar Haradinaj, por bazuar në çmimet publike të hotelit, del se pushimet e kryeministrit mund të kenë kushtuar mbi 80 mijë franga. Në Zyrën e kryeministrit nuk kanë pranuar të tregojnë se sa kanë kushtuar dhe kush i ka paguar shpenzimet, me arsyetimin se “kryeministri nuk ka qenë me agjende shtetërore, por private dhe familjare dhe se institucioni nuk bart asnjë kosto materiale”.
Një darkë natën e ndërrimit të viteve në hotelin ku ka pushuar kryeministri Ramush Haradinaj, ka kushtuar një mijë e pesëqind franga zvicerane.
Haradinaj ka qenë vetë i gjashti në darkën e Vitit të Ri në këtë hotel. Çmimi për gjashtë persona arrin mbi gjashtë mijë franga.
Çmimi për një mëngjes, i publikuar në faqen e këtij hoteli, nuk është më pak se 800 franga.
Haradinaj, së bashku me bashkëshorten Anitën, tre fëmijët dhe djalin e vëllait të tij, Dautit, ka pushuar në hotelin “Carlton” në Saint Moritz në Zvicër.
Qendra e skive në Saint Moritz është më e shtrenjta në botë. Hoteli “Carlton” i ndërtuar në stilin rus në alpet zvicerane përballë një liqeni, është në mes të pesë hoteleve më të mira dhe më të shtrenjta në këtë qendër.
Aty, familja Haradinaj ka pushuar nga 25 dhjetori 2017 deri më 2 janar 2018.
Dhoma më e lirë në këtë hotel për një natë është nga 1 mijë e treqind franga. Çmimet arrijnë deri në pesë mijë frang për një natë.
Insajderi ka mësuar se kryeministri i një prej shteteve më të varfra në Evropë – Kosovës, është vendosur në suitën e quajtur “Czar” prej 160 metrash katrorë. Në kohën e pushimeve të Vitit të Ri, çmimi i kësaj suite ka qenë fiks 40 mijë e gjashtëqind franga për shtatë net.
Haradinaj, së bashku, me familjen është vendosur të martën e 25 dhjetorit rreth orës 12 në këtë hotel. Aty kanë qëndruar nëntë ditë.
Veritas.com.al/