Kryeministri  Edi Rama  përsëriti sot në Kuvend para deputetëve të opozitës, se ‘nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme’. Ai foli para deputetëve të rinj, duke iu dhënë përgjigje edhe deputetëve që lanë Kuvendin dhe po protestojnë jashtë sallës së Kuvendit.

“Ata që ikën dhe që braktisën detyrën nuk kanë për t’u kthyer këtu përmes një rruge ekstra-ligjore dhe përmes asnjë lloj dialogu që çon në një pazar të kësaj natyre. Kjo nuk ka për të ndodhur”, tha kryeministri Rama.

Rama iu drejtua deputetëve të rinj të opozitës.

“Do t’iu mundim prapë, mblidheni mendjen mirë. Do t’iu mundim më thellë, kështu që bëni mirë që të ndaheni një orë e më parë nga ata, jo thjesht kush është brenda e kush jashtë, por t’i jepni Shqipërisë një mundësi tjetër që të ketë një zgjidhje tjetër. Se ato dy siglat ne do t’i çojmë për skrap”, u shpreh Rama.

Për Edi Ramën, kërkesa e opozitës për zgjedhje të parakohshme le të mbetet një ëndërr në sirtar.

“Zgjedhje të parakohshme, se tani na ka mbetur fallxhorja pa rrogë, nuk ka”, tha Rama.

Edi Rama shpjegoi edhe hapin e radhës me Reformën Zgjedhore.

“Ne do t’i presim për aq kohë sa pret puna. E nëse nga ana e Komisionit Europian, nga ana e Bashkimit Europian do të kuptojmë se ligji zgjedhor duhet kaluar këtu përpara se të merret vendimi për çeljen e negociatave, sepse është i shkruar në tekst, ne do ta kalojmë këtu”, deklaroi Rama.

Seanca e sotme plenare u konsiderua edhe nga opozita si një ‘seancë normale’.

VERITAS.COM.AL/