Hija e Sali Berishës në selinë e PD-së nuk është larguar. Ndonëse nuk është më pjesë zyrtarisht e grupit parlamentar, në mbledhjet e PD-së ai ka qenë sërish fokus i diskutimeve, që ka sjellë sërish përplasjen mes deputetëve dhe kryetarit Lulzim Basha.
Gazetarja e Report Tv, Danjela Maloku raporton se Flamur Noka, një nga deputetët që e ka treguar hapur besnikërinë ndaj Sali Berishës, ka debatuar sërish me Bashën, lidhur me vendimin e këtij të fundit për ta përjashtuar nga grupi.
asha thirri Kryesinë për të diskutuar lidhur me strategjinë e opozitës në parlament dhe më pas të vijojnë për punën në Komisione, por për Nokën duhet zgjidhur fillimisht “çështja Berisha”.
“T’i japim zgjidhje çështjes Berisha se kjo është kryesorja, pastaj Komisionet dhe Strategjia në Parlament”, mësohet të ketë thënë Noka në mbledhje.
Kjo mbledhje, e cila zgjati për rreth 2 orë, vjen në një kohë kur po sot, PS ka mbledhur Kryesinë e Grupit për të diskutuar lidhur me shtyrjen e afateve të Vettingut, për të cilën kërkohen ndryshime Kushtetuese, që nuk bëhet dot pa bashkëpunimin me opozitën, pasi mazhoranca ka 77 vota nga 92 që i duhen.