Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Christopher Hill, para takimit mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç ka deklaruar se është një tjetër “takim i rëndësishëm, por që nuk pret rezultate të shpejta”.
Ai tutje u shpreh se Bashkimi Evropian po punon shumë për të gjetur një zgjidhje që “do të jetë e dobishme për të gjithë”.
“Procesi i Brukselit kërkon një kohë të gjatë dhe sigurisht nuk mund të kënaqë ata që presin një rezultat të kënaqshëm menjëherë”, tha Hill raporton Danas.
Sipas tij, tani duhet të ketë progres sepse kanë kaluar shumë vite pa marrëveshje konkrete.
“Duhet të them se nga pikëpamja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës është shumë e rëndësishme që të arrihet dhe realizohet sa më parë Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe”.
Hill theksoi se edhe përfaqësuesi Special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gabriel Escobar, po merr pjesë në takimin në kuadër të dialogut.
“Përfaqësuesi ynë Gabriel Escobar është sot në Bruksel, kështu që ne jemi në atë proces. Dua të theksoj se SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian janë duke bashkëpunuar shumë ngushtë për këtë çështje dhe ne jemi shumë të përkushtuar për të punuar së bashku për këtë”.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, do të takohen pasditen e së hënës në Bruksel, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, të cilin e ndërmjetëson Bashkimi Evropian.
Ky takim është duke u zhvilluar me idenë e një pajtimi të përbashkët në parim për nënshkrimin e “Marrëveshjes Bazë” të mbështetur në propozimin e Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve mes të dyja vendeve.