Bujar Nishani, Presidenti i pestë i Republikës së Shqipërisë pas ardhjes së demokracisë në Shqipëri, ka ndërruar jetë ditën e sotme pasi vuante nga një sëmundje autoimune në mëlçi.
 Ish-presidenti ka lindur në Durrës më 29 shtator 1966.

Karriera e tij profesionale filloi në vitin 1988 si pedagog në Akademinë Ushtarake Skënderbej.

Pas kësaj, në 1993 shërbeu si Drejtor i Punëve të Jashtme në Ministrinë e Mbrojtjes, për të vazhduar në Departamentin e Marrëdhënieve me NATO-n në Ministrinë e Punëve të Jashtme në vitin 1994.

Viti 1996 e gjen Nishanin në Kabinetin e Ministrit të Mbrojtjes. Një vit më pas u emërua dhe shërbeu si Kryetar i Forumit Ushtarak Euro-Atlantik për burra dhe gra.

Karriera politike e Nishanit filloi në vitin 1991 si anëtar i Partisë Demokratike.

Në vitin 2001 u zgjodh Sekretar i Degës së Partisë Demokratike Tiranë, ndërsa në vitin 2003 u zgjodh anëtar i Këshillit Bashkiak të Tiranës.

Dy vite më pas Nishani zgjidhet anëtar i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike dhe më pas anëtar i Kryesisë Qendrore të kësaj partie politike.

Ndërsa, në korrik po të këtij vite ishte kandidat për Partinë Demokratike, ku fiton mandatin e deputetit në zonën zgjedhore 34 në Tiranë. Në zgjedhjet parlamentare të qershorit 2009, ai u zgjodh sërish deputet.

Nga marsi 2007 deri në shtator 2009, Nishani shërbeu si Ministër i Brendshëm.

Gjithashtu ai ka qenë dhe ministër i Drejtësisë, nga shtatori 2009 deri në prill 2011 dhe më pas, në prill të 2011 Nishani u emërua sërish në postin e Ministrit të Brendshëm, ku qëndroi deri në qershor të vitit 2012, kur u zgjodh nga Kuvendi i Shqipërisë në detyrën e Kreu i shtetit.

Më 24 korrik 2012 Bujar Nishani u betua si President i Republikës para Kuvendit të Shqipërisë për një mandat.

Nga 2017 e në vijim ka vijuar me angazhimin e tij politik pranë selisë blu.