Gjykata e Apelit ka shtyrë sërish vendimin për statutin e Partisë Demokratike. Megjithëse një javë më parë Apeli caktoi datën për të shqyrtuar ankimimin e PD-së kundër vendimit të marrë nga gjyqtari Agron Zhukri më 18 mars 2022, për këtë të enjte, duket se çështja do të zvarritet në një tjetër seancë.
Shkak këtë herë është bërë kërkesa e depozituar nga përfaqësuesi ligjor i PD-së, Indrit Sefa, sipas së cilës Gjykata duhet të kishte shqyrtuar edhe kërkesën tjetër të PD-së, për regjistrimin e ndryshimeve në Statutin e Kuvendit të 18 dhjetorit.
“Në vijim të komunikimeve mbi veprimtarinë e Gjykatës se Apelit Tiranë, ju informojmë se seanca e sotme gjyqësore qe ishte planifikuar të zhvillohej, kërkesa e Partisë Demokratike, nuk u zhvillua, për shkak se përfaqësuesi ligjor, ka depozituar kërkesë për shtyrje seance.
Seanca e ardhshme gjyqësore është caktuar ne date 06.12.2022, ora 09:30.
Ju faleminderit!”- thuhet në njoftim.
Që pasi Basha e përjashtoi nga grupi parlamentar, Berisha nisi një luftë të brendshme në PD, duke e ndarë parinë në dy pjesë. Më 18 dhjetor, Berisha mblodhi të ashtuquajturin Kuvend të PD dhe aty doli me një statut të ri, i cili i hapi rrugë Komisionit të Rithemelimit. Statuti shkoi në Gjykatën e Tiranës dhe kjo e fundit e aprovoi.
Por kreu i grupit, Enkelejd Alibeaj e dërgoi në Apel, duke kundërshtuar vendimin e gjyqtarit Agron Zhukri, pasi e cilëson atë si të paligjshëm. Sot Gjykata e Apelit ka njoftuar se seanca për të shqyrtuar këtë kërkesë është shtyrë më 6 dhjetor, në orën 09:30.
Vlen të theksohet se, krahas kësaj çështje në gjykatë është edhe kërkesa e grupimit të Berishës, të cilët kërkojnë që Alibeaj të mos njihet si palë në shqyrtimin e çështjes së PD.