Frrok Çupi/
Të parët u tronditën ata që thonë se “si nuk i bie flaka këtij vendi e të shpëtojmë”! Këta herë janë larg e herë janë afër “luftës”, por gjithnjë e venë veten para murit dhe nuk shikojnë dalje. Kur janë më “teorikë” dhe sidomos trima në grup, këta thonë se “vetëm një luftë e shpëton këtë vend”. Në vitin 1991, shkurt, më shumë ishin komunistët se anti-komunistët ata që thanë se “ky Neritani do të jetë i shitur që nuk i la tanket të hynin në bllok e ta bënin hi”… Natyrisht, në pjesën më të madhe të jetës nuk mund të specifikohen kush është ai (i majtë apo i djathtë) që e kërkon më shumë “fundin”, dmth., luftën dhe ekstremin për të zgjidhur vargonjtë…
…Këta që flasin për luftë, ishin që u “tronditën” kur dëgjuan dje kryetarin e Opozitës, Lulzim Basha, që tha: “Luftë duan? Luftë u japim”.
…Të parët që u “tronditën” ishin disa deputetë “paqësorë”. (Një nga këta reagoi sot menjëherë pas deklaratës së liderit të opozitës për “luftë”)… Ata (deputetët paqësorë) nuk kanë vrarë kurrë asnjë mizë. Por kanë vrarë njerëz; i kanë vrarë me plumb, me thikë, me shnderim, me shitjen e trupit, me drogë dhe duke i vjedhur bukën e gojës dhe ilaçet e trupit. Kjo kategori krijese, që quhen liderë, kanë një moto: “Më qëllove në fytyrë, të kthej faqen tjetër!”. Po, e besoj se e thonë me sinqeritet. Po me çfarë është e mbushur faqja e tyre? Me predha, me dinamit, me euro dhe dollarë, me thasë plot me drogë… Qëlloje!…, e pastaj? Qëlloje po deshe! Grushti yt është i thatë, i dobët, anemik, i burgosshëm.
… Të parët që tronditen nga gjuha e “luftës” janë ata që bëjnë luftë çdo ditë. Mos keqkuptohemi, jo ata që bëjnë luftë për të përparuar veten ose kombin, ose racën ose dinjitetin. Dmth., jo ata që e bëjnë luftën duke shikuar përpara në një vijë të drejtë… Jo!, ata që bëjnë luftën e rrethit. Të rrethit që rrotullohet rreth vetes. Këta kanë arritur ta fitojnë luftën e rrethimit. Sot për sot e kanë rrethuar njeriun në “Fermën e kafshëve”. Këta që qeverisin këtu e kanë rrethuar njeriun në “fermë” dhe po e rrahin me tërbim: O ik jashtë nga sytë këmbët, o ul kokën këtu si dele!- Kjo është terapia, dhuna dhe shpëtimi. Disa janë kthyer në “dele” dhe nuk bëjnë zë, disa janë vërtet afër qenies pa tru dhe përdorin edhe internetin për luftë banale kundër kundërshtarëve të qeverisë- skllavi mbron skllavëruesin; disa po vëzhgohen me frikë nga qeveria si më të ndërgjegjësuar dhe këta do të sulmohen se “thanë fjalë lufte”! Këta e kanë rrethuar njeriun dhe mendja u thotë se njerëzit nuk u dalin më nga rrethi…
Atëherë duhen bërë pyetje të thjeshta:
Pyetja më e thjeshtë, pse kombet shkojnë në luftë? Do të ishte marrëzi t’i konsiderosh kombet si luftëdashës. Por kombet kërkojnë shpëtim kur zihet në lak; atëherë nisen për luftë; për të shpëtuar. Siç edhe në këtë etapë të historisë, kombet e përparuar po kërkojnë shpëtim nga qeveritë anti-popullore, qeveritë mashtruese,qeveritë e korruptuara dhe anti-dinjitet. Në Europë ka nisur lufta për shpëtim ndaj elitave të korruptuara. Në Shtetet e Bashkuara u bë realitet shpëtimi- me zgjedhjen e zotit Trump. Në Britani shpëtuan me sovranitetin… Opozita e Shqipërisë po lufton bash për këtë qëllim.
Duhet bërë pyetja: Pse njerëzit luftojnë për jetën dhe dashurinë? Nuk është nevoja që të ngrihet Shekspiri për të dhënë përgjigje; njeriu tani është plot me lëng jete dhe dashurie. Qeveria e keqe dhe makabre ia ka thithur lëngun njeriut dhe ky flet me vete. Flet me vete- i tharë, i trondotur, i pa fuqi dhe pa shpresë. Çfarë do të bëjë, të mos shkojë në luftë?
Duhet bërë pyetja: vallë njeriu është i ngurtë dhe vetëm narrativ, apo edhe analitik për jetën e vet? Njeriu analizon pse disa jetojnë pa frikë, pse disa nuk dinë ku e kanë pasurinë; pse disa grabisin 500 milionë euro të ilaçeve, pse dikush ndërton vilë në Dajt e tjetri në det; pse disa të paktë ia morën pasurinë më të shumtëve?… Atëherë njeriu bën analizë. Në analizë del se duhet të luftojë…. Por këta e duan njeriun “pa luftë”, vetëm narrativ.
Duhet bërë pyetja: Vallë ti që je në qeveri, a e di se ai tjetri poshtë që shtypet nga qeveria – a nuk do ai që të jetë një personalitet? Sepse ti je një personalitet, pa pasur ndonjë meritë tjetër veçse je qeveritar? Ai tjetri, vallë, duhet të mbetet një gurë nën këpucën tënde? Kështu thua ti? Por ai thotë ndryshe. Vjen një moment që thotë se kërkon personalitet dhe del në luftë… pse jo! Ti çfarë i sugjeron? Apo që të rrijë nën këpucën tënde, se edhe aty të bezdis mjaftueshëm…
Ja që ka shumë pyetje para se të tronditesh nga “lufta”.
/Veritas.com.al/