Nga selia blu është njoftuar për një tjetër Kuvend Kombëtar, këtë herë të thirrur nga lideri legjitim i Partisë Demokratike (PD), Lulzim Basha.

Ndryshe nga herët e tjera, krahas vendosjes së pluralizmit dhe themelimit të PD-së, kujtesës së muajit dhjetor do t’i shtohen edhe Kuvendet, Referendumet, si dhe përplasjet e agjendave të së njëjtës parti ndodhur në vitin 2021.

Sot, 18 dhjetor, fokusi i demokratëve do të jetë në tri drejtime kyçe: atë të vendimmarrjes mbi situatën e PD-së, miratimit mbi Aksionin Politik, si dhe shpalljen e një platforme qytetare për demokraci.

Sipas Bashës, “Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike foli qartë. Edhe më qartë do të flasë Kuvendi Kombëtar”.

Nga ana tjetër, po në të njëjtën kohë, do të jetësohet edhe Referendumi, me nismëtar ish-liderin e PD-së, Sali Berisha.


Sali Berisha, ish-kryeministri i Shqipërisë dhe ish-lideri i Partisë Demokratike
“Referendum nul”

Ky aksion i tij, për shkarkimin e Bashës, për çka pritet dhe lypset votimi i anëtarëve të degëve të PD-së, sipas këshilltarit të Grupit Parlamentar të PD-së, Marash Logu, “është nul”.

Për Albanian Post, Logu sqaron se “statuti i PD-së nuk e njeh referendumin si një organizëm vendimmarrjeje. Asnjë vendim i referendumit nuk do të njihet, pasi referendumi ka ardhur si rrjedhojë e një Kuvendi ilegjitim të mbajtur në ‘Air Albania’”.

“Që këto mbledhje të fitojnë legjitimitetin, duhet ndjekur rruga statusore”, vë theksin këshilltari.

Ai ravijëzon se në statutin e PD-së është e përcaktuar qartas se “mbledhja mund të thirret nga kryetari, Këshilli Kombëtar dhe, në raste të veçanta, kur ¼-ta e delegatëve mund të kërkojnë Kuvend, por kurrsesi të vetëmblidhet”.

“Për sa kohë një mbledhje nuk thirret, sipas statutit, ajo nuk mund të prodhojë asgjë”.

Me këto fjalë, Logu i referohet Kuvendit Kombëtar të thirrur nga ish-kryeministri më 11 dhjetor.

“Kuvend, legjitim”

Lideri i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

Në Kuvendin e sotëm, i cili do të zhvillohet në Pallatin e Kongreseve – ndryshe nga ai i ish-liderit  Berisha – është premtuar transparencë mediatike.

Sipas Logut, kryetarët e degëve të PD-së ose sekretarët do të jenë përgjegjës, në mënyrë transparente, për verifikimin e delegatëve që, më pas, do t’i kalojnë komisionit.

“Delegatët e PD-së vijnë nga 71 degët e PD-së. Secili kryetar caktohet si person përgjegjës për të verifikuar a janë paraqitur delegatët. Komisioni, pasi merr informacionin e plotë, vendos nëse është plotësuar kuorumi i nevojshëm”.

Pse ky Kuvend sot?

Replikat midis Bashës dhe Berishës kanë filluar që prej muajit shtator.

Kryetari aktual e përjashtoi nga Grupi Parlamentar Berishën më 9 shtator.

Pas kësaj do të niste një lëvizje brenda demokratëve, të cilën Berisha do ta cilësonte fillimisht si “statutore”.

Më pas, ai ndërmori një seri foltoresh, derisa arriti në dorëzimin e 4 mijë e 200 firmave, dhe mblodhi Kuvendin e tij.

Por, nga ana tjetër, lideri i PD-së ka thirrur “Kuvendin e vërtetë” dhe legjitim të PD-së, duke mos njohur atë të Sali Berishës. Shpesh, në daljet publike, Basha e ka cilësuar Kuvendin e 11 dhjetorit “tubim”.

Ndërkaq, këto shtatë ditë ndërmjet dy kuvendeve të thirrura nga një lider dhe ish-lider, kanë qenë të mbushura me akuza dhe kundërakuza, që shpesh kanë çuar edhe në përplasje verbale mes mbështetësve.


Ish-kreu i demokratëve, Sali Berisha dhe kreu aktual i tyre, Lulzim Basha

Analisti Skënder Minxhozi e ka cilësuar situatën në të cilën gjendet PD-ja, “betejë me fishekë të vërtetë në korridoret e selisë blu”.

Sipas tij, dy protagonistët kryesorë kanë nxjerrë nga goja të lara edhe të palara, duke hedhur poshtë edhe atë që kanë thënë po vetë më parë.

Si shembull, Minxhozi ka marrë deklaratat e Berishës “për djegien e mandateve” dhe Bashës “për 21 janarin”.

“I njëjti Berishë”, shprehet analisti, “plot vetëkënaqësi dhe ngrefosje provinciale, nuk humbet asnjë rast për të treguar sesa dominant dhe i pushtetshëm ka qenë mbi pasardhësin e tij”.

Lufta për pushtet – sipas tij – i rrëzoka të gjitha barrierat etike dhe filtrat klasike që një njeri politik duhet të ketë kur del para kamerës.

Kjo u vërtetua edhe mbrëmjen e 16 dhjetorit, kur Basha dhe Berisha zhvilluan betejën e tyre virtuale në  të njëjtën kohë.

Sesi do të mbyllet kjo sagë, mes një prej figurave më të rëndësishme të politikës shqiptare në 31 vjet demokraci (Berisha) dhe benjaminit të tij (Basha), mbetet për t’u parë në Kuvendin apo Referendumin e 18 dhjetorit.