
SERBI- Kuvendi i Serbisë është përfshirë nga kaosi total të martën, ndërsa janë hedhur mjete piroteknike dhe tymuese në sallë. Mediat vendase shkruajnë se kjo situatë ka ardhur si pasojë e refuzimit të kërkesave të opozitës për futjen e dy pikave në rendin e ditës.
Po ashtu nuk kanë munguar edhe përplasja fizike mes mazhorancës dhe opozitës. Kryetarja e Kuvendit, Ana Brnabiç tha se deputetja Jasmina Obradoviç, është goditur nga një molotov dhe ka pësuar lëndime. Ajo është transportuar për ndihmë në spital.
Qeveria miratoi paraprakisht rendin e ditës me 62 pika, ku përfshiheshin edhe ndryshimet në Ligjin për Arsimin e Lartë.
Këto të fundit janë kërkesë e studentëve që protestojnë në Serbi, që nga shembja vdekjeprurëse e një strehe në Stacionin Hekurudhor të Novi Sadit, më 1 nëntor të vitit të kaluar.
Në seancë duhej të miratohej edhe dorëheqja e kryeministrit të Serbisë, Millosh Vuçeviç, të cilën ai e ofroi më 28 janar, nën presionin e protestave të studentëve.
Opozita kërkoi që në rend dite të ishin vetëm ndryshimet në Ligjin e Arsimit të Lartë, duke thënë se Qeveria që ka shpallur dorëheqjen, nuk mund të miratojë ligje të rëndësishme.
#Serbia 🇷🇸: another crazy day in the parliament as opposition lawmakers lit fireworks in protests of #Vucic's corrupt government. pic.twitter.com/gzGWMPQ9yc
— Thomas van Linge (@ThomasVLinge) March 4, 2025
Disa deputetë të opozitës në sallë mbajtën edhe fotografi me duar të përgjakura dhe pankarta ku shkruhej: “Grevë e përgjithshme”, “Studentët kanë të drejtë” dhe “Mësimdhënës, jemi me ju”.
Komente