Prokuroria do të thërrasë ish-kryeministrin Sali Berisha dhe kryedemokratin Lulzim Basha për të dëshmuar në lidhje me protestën e dhunshme të 8 janarit përpara selisë së PD-së.

Sipas burimeve, Basha dhe Berisha do të merren në pyetje në lidhje me protestën e 8 janarit ku të dy do të thirren në cilësinë e deklaruesit.

Protesta e së shtunës në selinë e PD-së u shoqërua me akte dhune dhe për të shmangur përplasjet dhe eskalimin e mëtejshëm të dhunës, policia ndërhyri dhe shpërndau turmën.

Berisha dhe mbështetësit e tij akuzojnë Bashën se në bashkëpunim me Ramën përdorën policinë për të ushtruar dhunë mbi protestuesit. Ndërsa Basha ka bërë përgjegjës pikërisht Berishën për dhunën e ushtruar.

Për protestën e 8 janarit janë 34 të arrestuar në kushtet e flagrancës nga policia dhe 18 të tjerë janë në hetim. Mosha e tyre varion nga 19 vjeç deri në 52 vjeç.

Të arrestuarit janë protestues, mbështetës të Berishës, por edhe mbështetës të Bashës që kanë qenë në selinë blu. Mbi ta rëndojnë akuzat “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”, “Prishja e qetësisë publike”, “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transporti”,”Shkatërrimi i pronës” dhe “Prodhim, mbajtje, blerje apo shitje e armëve të ftohta”.

Ndërsa për procedim të lirë penal janë edhe deputetët Flamur Noka dhe Gazment Bardhi.