Zyrtarët e Bashkisë së Lezhës kanë dalë sot para Gjykatës ku u është caktuar masa e sigurisë. Mes tyre është dhe kryetari i bashkisë së Lezhës Fran Frrokaj, i cili është nën akuzë bashkë me 22 të tjerë si i dyshuar në aferën e tjetërsimit të tokave në bregdet.

Trupi gjykues i drejtuar nga Artan Hajredinaj vendosi masën e sigurisë “arrest shtëpie” për kryetarin e bashkisë së Lezhës, Fran Frrokaj.

E njëjta masë sigurie është vendosur edhe për 11 zyrtarët e tjerë që akuzohen për shpërdorim detyre.

Seanca për masën e sigurisë është paraprirë nga protesta e mbështetësve të kryetarit të cilët prej disa ditësh protestojnë para bashkisë.

Por ndërsa mbështetësit e tij e konsiderojnë arrestimin e kreut të bashkisë si një aksion politik, nga ana e saj prokurori i çështjes Erjon Shehaj këmbëngul se Fran Frrokaj është pjesë e një zinxhiri, përmes të cilit janë përvetësuar mbi 234 mijë metra katrore tokë në zonën e plazhit në vendin e quajtur Mali i Rencit dhe mali i Shëngjinit.

Veritas.com.al/