Shqipëria nuk kërcënohet ushtarakisht nga lufta në Ukrainë, por kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar qytetarët që të përgatiten psikologjikisht për skenarër më të këqinj të mundshëm të pasojave ekonomike, përfshirë këtu edhe shkurtime dramatike të energjisë dhe naftës. Kreu i qeverisë theksoi se ajo se çfarë po në ndodh në Ukrainë nuk është një film, prandaj duhet marrë seriozisht, e pikërisht për të përballuar të gjitha pasojat që do të sjellë lufta, ai njoftoi se do të krijohet një komitet ndërministror me qëllim që efektet të jenë sa më të pakëta.
Për të vënë në dukje rreziqet që sjell kjo luftë, Rama e krahasoi me pandeminë e COVID-19, ku nuk dihej se kur do t’i vinte fundi dhe tha se duhet të jemi gati për skenare të ndryshme.
“Duhet të përgatitemi për çdo skenar, askush nuk e di se çfarë do të ndodh, jemi në të njëjtat kushte me pandeminë, kur nuk e dinim kohëzgjatjen, zhvillimet në dinamikën e tyre dhe kur u përgatitëm për disa skenarë. Duhet të përgatitemi psikologjikisht edhe për shkurtime dramatike të furnizimeve me energji ose naftë, ky është skenari më dramatik”, u shpreh kreu i qeverisë.