Dy vajza nga Fieri që morën pjesë në protestën e 18 shkurtit janë sulmuar nga një person i paidentifikuar. Ky lajm është bërë i ditur nga kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha.
Gjatë bashkëbisedimit me qytetarët nga çadra e opozitës, Basha i dha një ultimatum policisë deri në orën 24:00 që të arrestojë autorin që ka sulmuar vajzat nga Fieri ose në të kundërt “do të përballen me pasojat”. Sipas kreut të demokratëve, autori është emër i njohur për policinë.
“Bandat e lidhura nga pushteti dje sulmuan në Fier dy vajza të reja vetëm sepse ishin në protestën e 18 Shkurtit. Keni afat deri në orën 24:00 për arrestimin e autorit që është publikisht i njohur për ju. Arrestojeni ose merrni parasysh pasojat. Bandat dhe banditët e kurdisur dhe të paguar nga qeveria e krimit që të godasin qytetarët vetëm e vetëm për bindjet e tyre politike. Ky është fundi i republikës së krimit”, u shpreh Basha nga çadra e opozitës.
/Veritas.com.al/