Kandidati socialist për Bashkinë e Shkodrës ka dhënë të tjera detaje sot në lidhje me projektin për ‘Hyrjen e Shkodrës, projektin e prezantuar dje, të cilit i bëri jehonë edhe Kryeministri Rama. Beci ka shkruar sot në Facebook për portin tek ‘Ura e Bunës’

“Për shekuj me radhë brigjet e Bunës në të dyja anët e lumit, në zonën ku tani ndodhet ura e Bunës, kanë qenë një zonë që priste dhjetëra anije duke ngarkuar e shkarkuar mallra apo peshk nga Buna e Liqeni. Aty pranë kishte punishte për ndërtimin dhe riparimin e varkave, varka që ishin të famshme për format e tyre të bukura dhe siluetat plot stil.

Ndërtimi i portit dhe i muzeut të lundrimit krijon dy elemente të ndërthurura që sjellin në vëmendje një prej elementeve që e kanë bërë Shkodrën një qendër të rëndësishme ekonomike në rajon.

Porti ka një dimension 60 me 20 metra. Ka një platformë lundruese që krijon akses të kollajtë për në mjetet lundruese dhe lidhet me bregun me një urë këmbësore elegante.

Porti do të lejojë ankorimin dhe lundrimin e varkave dhe trageteve për në Shirokë dhe Zogaj (molet e të cilave po përfundojnë) dhe së shpejti edhe drejt moleve të tjera dhe portit të VirPazarit në pjesën malazeze të liqenit. Porti do të shërbejë për udhëtimet për dhe nga lumi Buna pasi të kryhen studimet dhe ndërhyrjet e nevojshme për ta bërë atë të lundrueshme.

Bashkia Shkodër, në bashkëpunim me operatorët e interesuar turistikë, do të bëjë të mundur një linjë periodike lundrimi gjatë sezonit turistik nga Shkodra drejt Shirokës e Zogajt. Do të bëjmë çdo përpjekje për të pasur transport sa më ekologjik model në Liqen. Kthimi i lundrimit mbi liqen dhe Bunë nuk është më vetëm një ëndërr”, shkruan në Facebook Benet Beci.