Presidenti francez Emmanuel Macron ka propozuar që Brukseli dhe Moska të mund të ndihmojnë në zgjidhjen e krizës politike në Bjellorusi. Ai zhvilloi bisedime me kancelaren gjermane Angela Merkel në jug të Francës.
“Një dialog midis autoriteteve, opozitës dhe shoqërisë civile është thelbësore”, tha Macron.
“Shpresojmë që ky dialog të mund të vendoset nga vetë bjellorusët, megjithatë BE është gati që t’i mbështesë, nëse roli ynë i ndërmjetësimit mund të jetë i dobishëm dhe dëshirohet nga bjellorusët, së bashku me institucione të tjera, veçanërisht OSBE-në, përfshirë edhe Rusinë në dialogun e kërkuar”, theksoi presidenti francez, përkrah kancelares gjermane, Angela Merkel.
Qindra protestues bjellorusë u mblodhën në Minsk të Mërkurën në mbrëmje, duke kundërshtuar urdhrin e fundit të Lukashenko policisë së tij për të pastruar rrugët e kryeqytetit pas një javë e gjysmë tubimesh kundër sundimit të tij.
Vendi po përballet me krizën e tij më të madhe politike që nga shpërbërja e Bashkimit Sovjetik.