Presidenti francez Emanuel Macron mendon se është e mundur arritja e një marrëveshje për shmangien e një lufte të plotë në Ukrainë, dhe se është legjitime për Rusinë të ngrejë shqetësimet për sigurinë.

Para takimit në Moskë me homologun rus Vladimir Putin, ditën e hënë, ai bëri thirrje për një balancim të ri për mbrojtjen e shteteve europiane dhe qetësimin e Rusisë.

Në një intervistë për “Journal Du Dimanche”, kreu i Elizesë tha se objektivi i Moskës nuk ishte Ukraina, po sqarimi i rregullave me NATO-n dhe BE-në. Ai shpreson që dialogu i tij me presidentin rus do të mjaftojë për të shmangur konfliktin ushtarak dhe se Putin do të jetë i hapur për të diskutuar edhe çështje të mëdha.

Macron e bëri të qartë se sovraniteti i Ukrainës nuk ishte çështje për diskutim. Moska ka parashtruar disa kërkesa, përfshirë ato që Ukraina të mos bëhet anëtare e NATO-s dhe që aleanca të zvogëlojë prezencën ushtarake në lindje të Evropës.